Këtë vit nata e ndërrimit të viteve do të ketë festime me fishekzjarre vetëm në qendrat e qyteteve, në ceremonitë që do të organizojnë bashkitë. Qytetarët në shtëpi dhe në rrugë do të jenë më të qetë dhe më të sigurtë nga kapsollat dhe mjetet e tjera piroteknike.
Urdhëri i ministrit të Brendshëm për ndalimin e tregtimit të kapsollave dhe mjeteve piroteknike përkrahet nga një numër i madh qytetarësh në këtë prag të ndërrimit të viteve. Ata thonë se ndihen më të sigurtë nga mospërdorimi i fishekzjarreve.
“Unë e përshëndes këtë vendim sepse duket sikur çdo vit fishekzjarret dhe kapsollat hidhen në rrugë dhe na trembin fëmijët”, u shpreh një qytetare.
“Duket më mirë. Do ishte më mirë që këto të ishin të kontrolluara”, tha një qytetar.
“Sigurisht që është edhe më mirë pa fishekzjarre sepse ata bëjnë edhe rreziqe. Kjo është gjë e mirë”, tha ndërkohë një tjetër.
“Vazhdimisht kanë ndodhur ngjarje të rënda. Këto janë të paparashikuara, nuk ke siguri”, u shpreh një qytetare.
ABC News pyeti qytetarë të Tiranës nëse mungesa e fishekzjarreve e zbeh atmosferën e festës.
“Diçka e organizuar që ka kontroll atëherë do duket bukur dhe nuk e zbeh fare magjinë e festës”, tha një qytetare.
“Po! Këtë vit më duket pak kot me thënë të drejtën”, u shpreh një tjetër.
“Pak më e mërzitshme, por gjithsesi festa do jetë”, tha një i ri.
“Si kot është, por gjithsesi ky është ligji”, u shpreh një qytetar tjetër.
Këtë 31 Dhjetor, nata e ndërrimit të viteve pritet të shënojë më pak incidente nga mjetet piroteknike, krahasuar me vitet e mëparshme.Përdorimi i fishekzjarreve për arsye festive do të bëhet vetëm nga institucionet e autorizuara, siç janë Bashkitë./abcnews.al