Futbollisti shqiptar, Azdren Llullaku, po kalon një moment të mirë në Rumani, por gjithsesi, ka pasur polemika me trajnerin. Sulmuesi kërkon më shumë minuta aktivizim.
Mund të shënosh golin më të bukur të javës, por të mos kënaqesh. Azdren Llullaku ishte një njeri i zemëruar pasi shënoi rrjetën e parë në fitoren 4-1 të ekipit të tij, Astra Giurgiu, ndaj Dinamos së famshme të Bukureshtit. Mediat rumune tregojnë shkakun.
Gazeta “Prosport”: Gjest i pabesueshëm i Llullakut, pas golit ndaj “qenve të kuq”. Nuk ishte i kënaqur, dhe nisi të shante!
Sulmuesi shqiptar u kthye nga trajneri i tij, Kostel Enake, i cili nuk e ka aktivizuar shumë, ndonëse ai ka qenë shënuesi më i mirë i ligës dy vjet më parë. Pavarësisht shfrimit të tij, nuk besohet se trajneri do t’i mbajë inat, ndërsa mediat e lavdërojnë tej mase.
“Gazeta Sporturilor”: Eurogol i Llullakut ndaj Dinamos. 30-vjeçari arriti të realizonte në mënyrë madhështore në superfitoren e Astrës, në luftë për një vend në play off!
Astra Giurgiu është në vendin e 6-të në kampionat, në fund të vitit 2018, ndërsa lufton për një vend në Ligën e Europës. Sulmuesi ka shënuar deri tani 5 gola në 20 ndeshje, veçse duket se po ndjen ulje-ngritjet në karrierë vitet e fundit. Llullaku u shpall shënuesi më i mirë i Ligës së Parë të Rumanisë në sezonin 2016-2017, me 16 gola, por pastaj kaloi një periudhë të vështirë në Kazakistan dhe Itali. Tridhjetëvjeçari shpreson që të bindë trajnerin Panuçi që ta thërrasë në kombëtare, ndërsa fanelën kuqezi e ka veshur për herë të fundit në vitin 2017./abcnews.al