Gjashtë persona, mes tyre tre fëmijë, kanë mbetur të plagosur pasi një automjet përplasi një grup këmbësorësh gjatë një aktiviteti për Halloween-in në Brooklyn, New York. Ngjarja ndodhi pasditen e së enjtes, më 29 tetor, jashtë një stacioni policie, ku po zhvillohej një festë për fëmijët dhe familjet.
Sipas autoriteteve, incidenti u regjistrua pak para orës 16:00, në kryqëzimin e Knickerbocker Avenue dhe Bleecker Street, ku Departamenti i 83-të i Policisë kishte organizuar aktivitete festive me kostume Halloween-i dhe shpërndarje ëmbëlsirash.
Një automjet i zi, i drejtuar nga një 56-vjeçar, doli në trotuar dhe përplasi këmbësorët, përpara se të ndalonte pasi u përplas me një ambulancë të parkuar pranë vendit të ngjarjes.
Brooklyn NY – Breaking – EMS involved accident in front of the 83rd Precicnt during the Precincts Trunk or Treat Halloween Event . @FDNY @FDNYFC @EMSPAC1 @NYCEMSwatch @UEMSO_FDNY @harlemedic @Garyfdny2 https://t.co/fgW5DqYJ2G
— David Burns 🇺🇸🗽🇺🇸 (@FD4D) October 29, 2026
Si pasojë, tre fëmijë dhe tre gra pësuan lëndime dhe u transportuan në spitalet e zonës. Sipas policisë, të gjashtë të plagosurit ndodhen në gjendje të qëndrueshme dhe kanë marrë lëndime që nuk rrezikojnë jetën.
Shoferi është arrestuar dhe po përballet me akuza për shkaktim të lëndimeve trupore me automjet, rrezikim të personave të tjerë dhe drejtim të mjetit nën ndikimin e alkoolit, raportojnë mediat amerikane.
Dëshmitarët kanë përshkruar momente paniku dhe kaosi, ndërsa prindërit përpiqeshin të largonin fëmijët nga zona e aksidentit. Disa prej tyre thanë se zhurma e fortë e përplasjes i kishte bërë fillimisht të mendonin se bëhej fjalë për të shtëna me armë zjarri.
Autoritetet bëjnë me dije se deri më tani nuk ka prova që shoferi e ka drejtuar qëllimisht automjetin drejt turmës. Hetimet vijojnë për të përcaktuar rrethanat e plota të ngjarjes dhe nëse drejtuesi i mjetit ishte nën efektin e alkoolit.


