Athina i kujton Tiranës zyrtare se integrimi europian i Shqipërisë varet nga respektimi i të drejtave të minoritetit grek në këtë vend. Zv/ ministri i Jashtëm grek e bëri këtë deklaratë për gazetarët në Athinë, duke theksuar gjithashtu se dy vendet duhet të ruajnë marrëdhëniet dypalëshe të fqinjësisë.
Athina zyrtare ka deklaruar se vazhdon të mbështesë perspektivën e integrimit europian për Shqipërinë, por nga ana tjetër ka theksuar se kjo kushtëzohet nga respektimi i të drejtave të minoritetit grek në vendin fqinj. Deklarata është bërë nga zëvendësministri i Jashtëm, Jorgos Katrougalos, në përfundim mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Politikës së Jashtme.
Marrëdhëniet me Shqipërinë kanë qenë një nga temat e mbledhjes ku primare ishin zhvillimet në problemin e Qipros dhe në raportet greko-turke. Duke folur më pas për gazetarët, Katrougalos tha se çështja e minoritetit nuk lidhet vetëm me detyrimet e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, por përgjithësisht me obligimet kundrejt civilizimit juridik europian, përfshirë konventën për të drejtat e njeriut.
“Në të njëjtën kohë konfirmova nga ana e qeverisë greke, se duhet të ruajmë edhe marrëdhëniet dypalëshe. Për këtë qëllim i kemi bërë disa herë thirrje qeverisë shqiptare që këtë gjë ta marrë seriozisht parasysh”, tha Katrougalos.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i opozitës, shefi i departamentit të jashtëm të Demokracisë së Re, Jorgos Koumoutsakos, kërkoi që reagimi i Athinës ndaj Tiranës të jetë absolutisht i qartë, sidomos sa i përket respektimit të të drejtave të minoritetit. Koumoutsakos shtoi se axhenda e marrëdhënieve dypalëshe përfshin edhe çështjen e delimitimit të zonave detare.
“Demokracia e re dhe gjithë partitë e tjera janë krejt në errësirë sa i përket kësaj çështjeje”, tha deputeti opozitar./abcnews.al