Diskutimet për vettingun në politikë të propozuara nga Partia Demokratike nxitën debate në sallën e parlamentit ku ish kryeministri Sali Berisha ftesën për dialog ia bëri mazhorancës me një paralajmërim.
Sali Berisha: “Do të ishte mesazhi më i fuqishëm që ne dërgonim drejt BE-së për hapjen e atyre dyerve. Urtësia është. Të ulemi të draftojmë ligjin që askush mos ta përdorë për qëllime politike, por të bëjmë atë filter në mënyrë që në këtë ulëse të mos ulen kockat e mafies dhe përfaqësuesit e tyre. Ju jap fjalën e nderit se nuk do të jetë e largët dita kur në rrugë dhe në sheshet e Shqipërisë do të ushtojë ‘o djem rrëmbeni armët, ja vdekje ja liri’ dhe do të zvarriteni rrugëve, dhe do të zhdukeni si minj. Se Shqiptarët do ta hedhin zgjedhën e krimit me çdo çmim, ose në mënyrë të ligjshme, ose dhëmb për dhëmb dhe pastaj do ju kujtohen këto fjalë, por do të jetë vonë.”
Kjo nxiti reagimin e socialistëve, jo për ftesën por vargjet pas saj.
Taulant Balla: “Sot ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, bën thirrje për dhunë. Këto janë të papranueshme sepse nuk i bën mirë rrugës tonë europiane dhe besoj apeli im është që PD urgjentisht të distancohet nga këto thirrje. I bëj thirrje kryetarit të Kuvendit në përfundim të kësaj senace, byroja e kuvendit të shqyrtojë kërkesat tona sot, por edhe ato dje për Lulzim Bashën dhe deputetëve të tjerë shkelës të rregullores”.
Demokratët dhanë shpjegimet e tyre…
Edi Paloka: “Përderisa këtu kanë dalë edhe vezët antikushtetuese nuk ka asgjë të keqe të nxirrni edhe një këngë antikushtetuese. Ajo nga zoti Berisha. Po jua them që mund ta gjeni te ëikipedia është këngë patriotike e kohës së robërisë turke dhe kohës partizane zoti Gramoz”.
Por vulën këtij diskutimi ja vuri kreu i LZHK-së Dashamir Shehi i cili thirrjen ia atribuoi pasionit ndërsa qetësinë ia këshilloi mazhorancës.
Dashamir Shehi: “Tani kjo puna e këngës fillon dhe bëhet serioze. Rrini të qetë se ne kur jemi këtu se kur ishte puna e armëve e bëmë me letra demokracinë kështu që rrini të qetë fare. S’ka për të marrë njeri armë. Përtej pasionit të Berishës s’ka për të marrë njeri armë. Jemi disa këtu që ishte koha për të marrë armët dhe nuk i morëm. Lëreni këtë muhabet dhe të merremi për atë që kemi ardhur sot”.