Tentuan të trafikonin jashtë vendit rreth 36 kg kanabis, arrestohet çifti i bashkëshortëve në Sarandë

schedule15:06 - 7 Tetor, 2021

schedule 15:06 - 7 Tetor, 2021

Policia në Sarandë ka finalizuar një operacion të koduar “Likojani”, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të narkotikëve, armëmbajtjes pa leje dhe të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Me finalizimin e operacionit, të zhvilluar nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, u arrestuan dy persona.

Kështu, në pranga janë vënë çifti i bashkëshortëve  Lutfi Faslliu 38 vjeç, i dënuar më parë për trafikim të mjeteve motorike dhe Shano Faslliu 31 vjeçe, të dy banues në Konispol, Sarandë.

Bëhët e ditur se forcat e policisë kanë ndaluar automjetin e drejtuar nga 31-vjeçarja, e cila me bashkëshortin po transportonte 2 emigrantë të paligjshëm, kundrejt shpërblimit monetar, drejt qytetit të Sarandës, me qëllim tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së.

Më tej, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tyre, Policia gjeti një sasi prej 35.6 kg kanabis, 1 armë zjarri automatik dhe një sasi municioni luftarak.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes. /abcnews.al/