Gjatë një bashkëbisedimi me studentë të universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë, kryeministri Edi Rama këmbënguli se e vetmja rrugë për realizimin e kërkesave të studentëve mbetet dialogu. Para fillimit të takimit pati një përplasje verbale mes një grupi studentësh që pretendonin se iu ishte ndaluar hyrja në ambientet e takimit me kreun e ekzekutivit.
Ndryshe nga vizitat surprizë që i bëri studentëve të universitetit bujqësor të Tiranës, në Vlorë lajmi se po vjen kryeministri të bashkëbisedojë u përhap duke mos i gjetur të papërgatitur të rinjtë vlonjatë në përballjen me kreun e qeverisë.
Mes protestave dhe debateve, Kryeministri arriti të hyjë në sallën ku e prisnin studentë të tjerë, disa prej të cilëve u konsideruan anëtarë të Forumit Rinor Eurosocialist sipas opozitës, por edhe bashkëmoshatarëve të tyre që protestojnë në rrugë. Nuk e lanë të qetë shefin e qeverisë, as kur hyri në auditor.
Edi Rama: Hajde tani zini vend.
Në fakt nuk i shkuan për t’u ulur por për t’i thënë atë që kanë 15 ditë në rrugë.
Studentja: “Duhet të kuptohet nga të pranishmit që ju zotëri i keni 8 pikat, të zezën mbi të bardhë, që të bëhet dialog duhet dhënësi, mësazhi, kanali, marrësi. Ne që protestojmë jemi dhënësi, mesazhi janë 8 pikat, kanali mënyra sësi ua referojmë këto 8 pika, marrësi jeni ju dhe duhet të thoni vetëm kaq po ose jo. Nëse pranoni t’i bëni ato kërkesa ne ulemi në dialog”.
Student: Përshëndetje zoti kryeministër. Unë jam ngelës i ekselencës me mesatare 9.2.
Edi Rama: Mendoj që të flasim me qetësi se e rëndësishme është që të dëgjohemi. Për tifozllëk Flamurtari ndeshjen e ka të dielën.
Studenti: Ne ju kemi votuar, ju zgjodhëm vetë, ndaj plotësoni kërkesat tona. Mos e agravoni më tej situatën, nëse kjo situatë do agravojë pas pushimeve, studentët do mblidhen dhe do ju dërgojnë me PS me PD siç tha Blendi te emisioni.
Ndryshe nga transmetimet e kontrolluara nga zyra e shtypit të kryeministrisë, në këtë sallë të universitetit të Vlorës folësi nuk pranon të ndërpritet as nga ai që është sot kryeministër.
Edi Rama: E dëgjova, mesazhin e mora.
Studenti: Presim përgjigje përfundimate, nuk kemi ç’të dëgjojmë. Jemi të tërë për t’u larguar, këto ishin pyetje retorike dhe këshilluese për ju.
Edi Rama: “Si të çohemi të tërë të pranishmit? Kush nuk do të dëgjojë, të largohet”.
Kërkesa e studentëve për të realizuar 8 rekomandimet pas ulur në tryezë ka marrë përgjigjen e prerë të kryeministrit.
Edi Rama: Jo vetëm që nuk di ça kërkon por nuk ka shans të marrë atë që imagjinon. Nuk ekziston t’i çosh qeverisë ultimatume, se qeveria nuk është dyqan.
Përgjigja e gjatë e kryeministrit ka marrë të njëjtën kritikë si në Tiranë.
Studenti: Ne nuk po shikojmë përgjigje konkrete, për gjithë studentët.
Emocionet i mbyti studenti vlonjat kur renditi të gjitha problemet, me të cilat përballet për të të marrë një diplomë në arsimin publik.
Student: Vërtet mund ta kem mesataren 9.1, motra ime 9.7. Ne paguajmë 200 mijë unë dhe 200 mijë ajo për taksë, prindërit janë pa punë dhe mund ta vërtetoni, ai të vriste në bulevard, kurse ju të vrisni shpresën. Më mirë haletë diku jashtë kur e di që të vlerëson.
Sinqeritetit të studentit kryeministri iu përgjigj me atë që qeveria ka bërë në 5 vitet e fundit, duke mos pranuar ta krahasojnë me paraardhësit.
Edi Rama: Jam shumë dakord me ty, që shumë gjëra nuk shkojnë, por nëse më thua së është nëjsoj ky vend sic ishte para 5 vjetësh, mendoj që e ke gabim, nëse unë do isha si të tjerët ti sot do haje një kokërr plumbi në lule të ballit dhe s’do ishe këtu të më bëje mua gjithë këtë fjalim dhe shumë mirë që e bën.
Kush nuk është për dialog ta dijë mirë përsërit edhe një herë kryeministri se ultimatumet për rifillimin e protestave pas vitit të ri nuk do të lëvizin asnjë gur më shumë në tryezën e qeverisë.
Edi Rama: “Ultimatume nuk ka, nuk funksionojnë”.
Ndër kërkesat drejtuar qeverisë janë edhe kushte më të mira në auditore i kujton njëri prej studentëve kryeministrit.
Bashkëbisedimi mori një drejtim tjetër kur kryeministri kërkoi të zbulojë sa i vërtetë ishte studenti që foli për vështirësitë në jetën e tij.
Edi Rama: Në gjendjen e varfërisë së thellë që je ti e ke blerë dhe sa e paguan Iphone?
Studenti: Unë këtë e kam fituar në një konkurs në një organizatë.
Kurioz tregohet edhe studenti vlonjat.
Student: Për shtëpinë në Surrel që ke deklaruar 2 mijë euro.
Edi Rama: Unë kam qenë emigrant dhe si gjithë emigrantët e tjerë kam bërë dhe unë pjesën time të sakrificave në emigracion.
E për t’iu rikthyer temës për të cilën kishte shkuar, kryeministri sqaroi se në janar të 2019 të gjithë studentët do të paguajnë gjysmën e tarifës, ndërsa gjysma tjetër do të paguhet nga qeveria për të gjithë me 4 me 10 duke shtuar se kjo është e vlefshme vetëm për këtë vit akademik. Në platformën e bashkëqeverisjes është publikuar edhe një kopje e draftit të punës me 8 pikat në stadin aktual, e cila është e hapur për diskutim në çdo pikë:
Sa për protestën i sugjeron të vazhdojnë, por edhe duke dialoguer me qeverinë.
Edi Rama: Unë ju them jam dakord me 8 pikat, tani ca doni doni të bëhem edhe udhëheqës i protestës. Po ta udhëheq unë protestën, shkon shumë mirë se ç’po bëni ju se ju po e çoni për lesh.
Kjo nuk i ka tërhequr studentët vlonjatë që ta përcjellin ashtu siç e pritën./abcnews.al

