Deputeti Oerd Bylykbashi këtë legjislaturë nuk do të jetë njeriu i besuar i Lulzim Bashës për çështjet elektorale. Arsyet nuk dihen, por momenti i zgjedhur nga lideri demokrat për t’i besuar Enkelejd Alibeajt vendin e Bylykbashit përkon me momentin, kur ky i fundit u shfaq në krah të ish-kryeministrit Sali Berisha në “Foltoren” e Durrësit. Por cilat janë arsyet, ndoshta fakti që dështoi pakti i 5 Qershorit? “Nuk e di” tha Bylykbashi sonte në “LOG” në “ABC”.
Po a e përjashton Bylykbashi faktin që e penalizon rreshtimi në krah të Sali Berishës? Deputeti demokrat thotë se nuk asgjë me tapi. “Unë nuk besoj që e kam me tapi këtë gjë. Por eksperiencën time 20 vjeçare askush nuk ma heq nga lëkura politike dhe teknike. Ekspertiza që kam, njohja e sistemit zgjedhor është një gjë, që vyen mua, i ka vyer edhe PD-së, por nuk i di arsyet, gjykoj që Basha në atë vendim që ka marrë gjykon se ashtu do të ecë më mirë.
Unë kam idetë e mia, që kjo fjala reformë mund të jetë pa shumë sens, se ka gjëra që nuk duhet të ndryshohen në ligj, por t’u qasemi problemeve me vërtetësi. ODHIR thotë se ligji është i mirë, duhet vullnet për zbatim” shprehet ai.
Mbrëmjen e sotme ai zbuloi edhe disa prapaskena nga zhvillimet në selinë blu në vitin e fundit. “Unë e kam kuptuar në fillim të majit. Kuptova se diçka po fillonte të lëvizte për ndryshim të Kushtetutës” tha Bylykbashi, referuar ndryshimit të Kushtetutës për Reformën Zgjedhore.
Rezerva, ai thotë se ka pasur edhe për Reformën në Drejtësi. “Rekomandova që asnjë ligj të mos kalonte, kushtetuta mos ndryshonte pa u parë teksti i ligjeve, me përjashtim të SPAK-ut, pasi ne nuk kishim kontroll. Po flasim për kohën kur ende diskutonin dhe nuk kishte gjë të shkruar” tha ai./ db/Abcnews.al