Trajneri i Skënderbeut, Orges Shehi, ka dashur të japë dorëheqjen pas disfatës me Luftëtarin në Superligë. Ish-portieri ia ka deklaruar një gjë të tillë presidentit Takaj.
Padyshim që mund të të shkojë në mendje pas një humbjeje të tillë. Nga Korça lajmet janë që trajneri Orges Shehi i ka kërkuar dorëheqjen presidentit Takaj, në vijim të disfatës me Luftëtarin në Superligë, dhe se numri 1 i klubit padyshim që është menduar.
Gjithsesi, po këto burime theksojnë se Takaj nuk e ka marrë vendimin final, gjithnjë sipas parimit të tij se nuk duhet të nxitohet me trajnerin. Pas ndeshjes, Shehit iu bë një pyetje se mos pati prapaskenë ndaj tij, apo prapaskenë për rezultatin.
“Nuk mendoj për prapaskena. Mendoj pak me respekt për Skënderbeun sepse nuk mund të vijnë gjyqtarë të rinj pa eksperiencë, kur Skënderbeu ndodhet në pjesën e lartë të tabelës dhe ka objektiva”, tha ai.
Trajneri i kampionëve pranoi se Skënderbeu nuk po kalon moment të mirë.
“Kemi gabimet tona. Shkojmë deri atje te porta. Kemi dalë shumë lirshëm atje, kemi shpërdoruar shumë. Kemi shpërdoruar pasimet e thjeshta. Kemi gabimet tona që nga unë i pari sepse skuadra nuk është aq i fortë sidomos në aspektin e prapavijës”, u shpreh Shehi.
Nga ana e tij, ai që doli i fituar ishte Gentian Mezani i Luftëtarit, një skuadre që arrin të marrë tri pikët edhe kur nuk merr rrogat.
“Kemi bërë një ndeshje të mirë. Dua të flas për ndeshjen sepse mendoj që është diçka e kaluar. Për pjesën tjetër ne kemi marrë garancitë tona për vazhdimësinë dhe normalisht siç u fokusuam sot duhet të vazhdojmë dhe për ndeshjen e radhës që kemi me Partizanin”, tha Mezani./abcnews.al