Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj zhvillimeve që ndodhën dje sa i përket refuzimit të projektit amerikan të gazit dhe marrëveshjes për targat e automjeteve.
Haradinaj tha se dje shteti i Kosovës i ka marrë dy goditje të rënda që sipas tij, erdhën nga një Qeveri dhe kryeministër i papërgjegjshëm.
“Dje shteti i Kosovës i ka marrë dy goditje të rënda, më të rënda që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Këto goditje kanë ardh nga kolona e pestë e shtetit të Kosovës, nga një Qeveri dhe një kryeministër i papërgjegjshëm. Djë është nënshkruar marrëveshje që e kthen Kosovën 10 vjet mbrapa dhe është refuzuar projekti amerikan i gazit. Me marrëveshjen për targat Albin Kurti e ka goditur fortë sovranitetin e vendit. Ka vendosur t’i rikthejë targat ilegale të Serbisë që i kemi hequr 10 vjet më parë. Ka vendosur që territorin e veriut të Kosovës ta trajtojë ndryshe nga pjesa tjetër e shtetit, nuk i takon kjo e drejtë sepse nuk e lejon Kushtetuta e as populli”, tha Haradinaj në një konferencë për media.
Haradinaj ka thënë se Kurti e ka bërë Serbinë hisedarë, pasi ka pranuar të negociojë me të për punët më të ndjeshme të Kosovës.
“Ky njeri e ka bërë hisedar Serbinë dhe ka pranuar që të negociojë me të punët më të ndjeshme e me të brendshme të vendit të vetë. Ai ka marrë vendimin më anti-shqiptar e me antiamerikan në historinë e Kosovës, ka vendosur t’i thotë jo gazsjellësit amerikan. Refuzimi i Qeverisë i këtij projekti është goditje e drejtpërdrejt ndaj shtetit dhe partneriteti ndërkombëtar. Është hapje e derës për gazin rus dhe për Rusinë, hala më keq ky kryeministër i dhanë të drejtën vetës me njollos këtë projekt duke e cilësuar atë projekt rus”, tha Haradinaj.