“Targat” në Bruksel, Kurti: Vuçiç është problemi, jo Kosova

schedule23:00 - 29 Shtator, 2021

schedule 23:00 - 29 Shtator, 2021

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë një intervistë për televizionin kroat HRT ku ka folur për ngjarjet në veri të Kosovës, marrëdhëniet me Serbinë, bashkimin kombëtar dhe qëndrimin e trupave amerikane të KFOR-it në Kosovë.

Ai ka thënë se nuk qëndron problemi në Kosovë, por në Serbi, teksa ka thënë se kriza në pikat kufitare 1 dhe 31 janë iniciuar nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Ne ende kemi probleme me Serbinë, Kosova nuk është problem. Problemi është Serbia, veçanërisht presidenti i atij vendi që mendon dhe flet si në vitet 90 të shekullit të kaluar. Kalimet kufitare Jarinje dhe Bërnjak janë në krizë jo për shkak të serbëve, por për shkak të Presidentit të Serbisë. Më shumë se 11 mijë automjete nga Serbia morën targat e përkohshme të Republikës së Kosovës pa asnjë problem. – Ata bashkëpunuan me policinë tonë dhe institucionet tona. Njerëzit në barrikada paguhen nga Serbia”, ka thënë ai.

Ai po ashtu ka thënë se personat që kanë nisur bllokadën në veri kanë të kaluar kriminale dhe anë pjesë e grupeve ekstreme që morën pjesë në grushtin e shtetit në Mal të Zi disa vite më parë.

Disa prej tyre kanë një dosje të aktiviteteve kriminale në të kaluarën, ata kanë pikëpamje ekstreme për politikën dhe botën. Disa prej tyre gjithashtu morën pjesë në një përpjekje për grusht shteti në Malin e Zi pesë vjet më parë”, shtoi Kurti, transmeton Gazeta Express.

Kurti ka komentuar edhe ardhjen e ambasadorit rus në kufi me Kosovën dhe sulmi ndaj institucioneve të Kosovës në veri.

Ju e sillni Ministrin e Mbrojtjes në kufi me Kosovën, së bashku me Ambasadorin Rus në Serbi dhe Atasheun e Mbrojtjes të Federatës Ruse në Beograd. Në të njëjtën ditë ata i vunë zjarrin një ndërtese në Zubin Potok. Gjithashtu, MiG-29 po sillet rreth Kosovës, helikopterë dhe automjete të blinduara të prodhuara nga Rusia … Pra, ata erdhën me një arsenal ushtarak në kufijtë e vendit tonë. Forcat tona speciale janë atje, si në Brnjak ashtu edhe në Jarinje. Të mos harrojmë, një ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 18 shkurt 2008, ata dogjën pikat kufitare Jarinje dhe Brnjak”, shtoi Kurti.

Kurti ka folur edhe për politikën e brendshme të Serbisë, duke thënë se atje ekziston vetëm një parti dhe se Kisha Ortodokse Serbe është po ashtu parti politike duke thënë se nuk ka pluralizëm demokratik.

Keni një parti. Ajo parti është edhe shteti. Ky shtet është gjithashtu një kishë. Ajo kishë është gjithashtu një parti. Nuk ka pluralizëm atje, ata po shtiren me demokraci kinse po mbajnë zgjedhje

Kurti shtoi se është i hapur për dialog dhe se për këtë i ka shprehur gatishmërinë edhe kryetares së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Kurti është pyetur edhe për bashkimin kombëtar dhe se si do të votonte në një referendum eventual.

Ne jemi dy shtete, Kosova dhe Shqipëria, por nuk jemi dy kombe. Ne jemi një komb. Kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë, ne kurrë nuk mund të harrojmë se nuk është kufiri shqiptar apo kufiri i Kosovës. Është kufiri jugosllav, serb dhe në atë kuptim ne duam që Prishtina dhe Tirana të bashkëpunojnë sa më ngushtë, të integrohen dhe të ndihmojnë njëri –tjetrin

Në fund është pyetur nëse mendon se trupat amerikane, pjesë e KFOR-it do të largohen nga Kosova.

Unë nuk mendoj se ata do të tërhiqen. Kosova duhet të përfshihet në Partneritetin për Paqe. Imagjinoni, që nga viti 2006, ka qenë Serbia që merr armë nga Rusia, Bjellorusia dhe Kina, dhe jo Kosova”, ka thënë Kurti, transmeton Gazeta Express.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!