Polemika në distancë mes Juventusit dhe Interit

schedule16:13 - 16 Dhjetor, 2018

schedule 16:13 - 16 Dhjetor, 2018

Polemika mes Interit dhe Juventusit në Serinë A. Debate edhe për fitoren e kampionëve në derbin ndaj Torinos.

Fitoret ishin identike.

Juventusi dhe Interi patën nevojë për një penallti të vogël, që të arrinin sukseset e mëdha të radhës në Serinë A. Shifrat ishin të njëjta, 1-0, dhe rrjetat nga 11 metra larg vijës fatale u shënuan nga dy kampionët kryesorë, Cristiano Ronaldo për juventinët, dhe Mauro Icardi për interistët.

Për t’u veçuar fakti që goli i Ronaldos ishte i 5.000-ti për piemontezët në kampionat. Gjithsesi, në Serinë A nuk mungojnë polemikat që, për hir të së vërtetës ndodhin kudo dhe ja ku i kemi edhe mes dy klubeve. Drejtuesi i ri i Interit, ish-drejtuesi i Juventusit, Bepe Marota, e sheh projektin zikaltër më përpara sesa atë juventin disa vjet më parë.

“Jam shumë krenar që jam këtu. Është fillimi i një kapitulli të ri, dhe unë do të jap maksimumin tim, siç kam bërë kudo. Interi është një klub i fortë dhe i vendosur për të pasur sukses. Mendoj se është më i fortë sesa Juventusi në vitin 2010, kur nisi ciklin fitues. Interi duhet të luajë një rol të madh në UEFA, në Serinë A dhe në Federatën Italiane”.

Pavel Nedved, zv. presidenti i Juves, nuk pati nevojë për këto fjalë për të shprehur mendimin e tij për lëvizjen e Marotës.

“Më duket e çuditshme që Marota shkon tek Interi, dhe kjo ndihet sidomos tani që u bë zyrtare. Ai është një profesionist i madh, një menaxher i madh, por ndoshta ai nuk ishte kurrë një juventin”.

Edhe mediat italiane e pasqyruan debatin, si dhe komentuan fitoret e Interit dhe Juventusit.

“Il Corriere dello Sport”: Marota, një dolli për VAR-in! Drejtuesi i ri zikaltër, i thumbuar nga Nedvedi, fiton me sukses, por Interit iu desh një penallti e dalluar nga teknologjia!

Sërish “Il Corriere dello Sport”: Edhe derbi është i Juves, 46 pikë në fushë, renditje e paparë deri më sot! Zemërim i Mazarrit, penallti për Zazën!

E pra polemikat ishin edhe në fushë.

Nuk pati diskutim për penalltinë e fituar nga Mario Mandzukiç për Juven. Goli i Cristiano Ronaldos nuk solli përplasje, por ato kishin ndodhur më herët. Torino kërkoi penallti, dhe me të drejtë, kur sulmuesi Simone Zaza u rrëzua në zonë, por gjyqtari nuk e akordoi.

Më pak polemika në suksesin e Interit, ndonëse për penalltinë u desh VAR-i. Prekja me dorë u ndëshkua paksa me vonesë, por gjithsesi kapiten Icardi shënoi golin vendimtar. Juventusi kryeson Serinë A me 46 pikë, Interi është i treti me 32./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!