Flamurtari fitoi duelin ndaj Kamzës me rezultatin minimal 1-0. Bushiç shënoi golin e vetëm për vlonjatët në minutën e 66.
Flamurtari gjen qetësi. Kuqezinjtë fituan ndaj Kamzës në ndeshjen në javën e 17 me shifrat minimale 1-0. Vlonjatët nuk e patën të lehtë ndaj kamzalinjve që e shohin veten në vendin e parafundit në tabelën e klasifikimit. Ndeshja nis me Flamurtarin më kërkues që tenton golin në disa raste, por pa rezultat.
Në të 17-n minutë, Danilo Alvesh tenton nga distanca, por portieri Avdyli grushton saktësisht. Në minutën e fundit të pjesës së parë, Plaku provon të surprizoje Koliçin, i cili kontrollon gjithçka. Pjesa e parë mbyllet me rrjeta të paprekura.
Në minutën e 59, vendasit pretendojnë për një 11-metërsh, por gjyqtari vijon lojën. Goli i vetëm i takimit erdhi në minutën e 66. Bushiç shfrytëzon një goditje nga këndi duke përfituar edhe nga një dalje e gabuar e portierit Avdyli dhe e dërgon topin drejt rrjetës.
Flamurtari në avantazh dhe tashmë Kamza nuk ka çfarë të humbasë. Në minutën e 90, Plaku tenton me një gjuajtje të rrezikshme, por Koliçi kontrollon gjithçka. nTakimi mbyllet me fitoren e Flamurtarit që tashmë e sheh veten në kuotën e 28 pikëve dhe rikthehet në garë për një vend në kupat e Europës ndërkohë që Kamza vijon të zhgënjejë./abcnews.al