Opinioni përfundimtar i Komisionit të Venecias u lexua në forma të ndryshme nga palët politike. Rama e Basha replikuan mes tyre përmes rrjeteve sociale, për vetingun në politike. Ndërsa sipas deputetit demokrat Oerd Bylykbashi Komisioni i Venecias i bën thirrje mazhorancës të ulet në dialog me opozitën për miratimin e amendamenteve kushtetuese.
Nuk mund të ndodhte ndryshe!
Edhe ky opinion i Komisionit të venecias, ai final lidhur me vettingun në politikë të propozuar nga opozita, është lexuar ndryshe nga forcat politike kundërshtare.
Kreu i qeverisë Edi Rama e cilëson një dështim të aksionit opozitar votimin në Venecia të opinionit final, edhe pse aspak të tillë e sheh kryedemokrati Lulzim Basha.
Rama: “U mbyt në ujin e Venecias edhe Gjojavetingu yt, një nga ato manovrat e tua që e kanë bërë PD-në joserioze në sytë e njerëzve”.
Por, nga ana e tij Lulzim Basha këtë reagim të kryeministrit e sheh si produkt të mungesës së njohurisë për ta lexuar si duhet opinionin e Venecias.
Basha: “Nuk kupton as shqipen, pale pastaj anglishten! Mirënjohje Komisionit të Venecias që hapi dritën jeshile për vetingun e politikanëve. Koha kur politikanët janë mbi ligjin po mbaron”.
Një sqarim përmes rrjetit social facebook bëri edhe një nga të dërguarit e opozitës në Venecia, Oerd Bylykbashi. Sipas tij Venecia me votimin e së premtes konfirmoi si të drejtë dhe legjitime porpozimin e opozitës për vettingun në politikë.
Oerd Bylykbashi: “Opinioni i miratuar nga Komisioni i Venecias përcaktoi guidën e detajuar për miratimin përfundimtar nga parlamenti të amendamenteve kushtetuese dhe ligjin e detajuar që, ashtu si dekriminalizimi, do duhet të largojë politikanët e e lidhur me Mafian.”
Bylykbashi më tej thekson paragrafin 98 dhe 99 të këtij opinioni i cili i bën thirrje parlamentit shqiptar të adresojë këtë çështje përmes dialogut konstruktiv mes partive politike dhe gjithë shoqërisë duke shprehur edhe gatishmërinë e asistencës së mëtejshme të komisionit të venecias në këtë çështje. /abcnews.al