Komisioni i Venecias ka miratuar opinionin final për amendamentet e opozitës lidhur me vettingun në politikë. Ky opinion, pësoi pak ndryshime nga ai i ndërmjetëm, kryesisht në specifikimin e standardeve ndërkombëtare sa i përket të drejtës për të votuar dhe për t’u zgjedhur.
Në dy paragrafët shtesë të këtij opinioni, Venecia thekson se e drejta për t’u zgjedhur, e garantuar nga Artikulli 3 i Protokollit 1 të Konventës europiane për të drejtat e njeriut, nuk është absolute, pasi shtete të ndryshme mund të bëjnë “kufizime të nënkuptuara” të kësaj të drejte, për sa kohë qëllimi i shtetit është në përputhje me principin e shtetit ligjor dhe synimet e përgjithshme të kësaj Konvente.
Venecia sqaron përmes citimeve të vendimeve të gjykatës së Strasburgut se këto “kufizime të nënkuptuara” të së drejtës për t’u zgjedhur kufizohen vetëm nga dy kritere: nëse kufizimi është arbitrar apo në mungesë porpocinaliteti me arsyen përse është vendosur apo me kohën në të cilën shtrihet ky kufizim; si dhe nëse kufizimi i të drejtës ndërhyn me lirinë e shprehjes së opinionit.
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut gjithashtu nënvizon nevojën e vlerësimit të çcdo legjislacioni electoral të shtetit në fjalë lidhur me evolucionin politik të tij, që do të thotë se tipare të papranueshme në një sistem mund të jenë plotësisht të justifikuara në një tjetër.
Në njoftimin për media të miratimit të këtij opinioni final të Venecias mbeti i pandryshuar shqetësimi i evidentuar lidhur me mundësinë e abuzimit me pushtetin për shkak të mungesës së qartësisë në amendamentet e propozuara sa i përket shtrirjes dhe implementimit të procedurës së vettingut.
Opinioni deklaron se nuk është e qartë kush do të drejtojë këtë proces dhe nëse do të jetë një trupë gjyqësore apo e pavarur. Terminologjia e përdorur është gjithashtu një pikë e dobët e këtyre porpozimeve sipas Vencias.
Për këto arsye Venecia përcakton se vlera ligjore e shtuar e këtyre amendamenteve vihet në pikëpyetje.
Duke shprehur gatishmërinë për vijimin e asistencës lidhur me këtë çështje, ky komision thekson se hapat e mëtejshëm për amendamentet e porpozuara nga opozita duhet të hidhen në Parlament, përmes dialogut mes të gjitha forcave politike dhe shoqërisë, në interest ë demokracisë në Shqipëri./abcnews.al

