Vuçiç: Refuzova propozimin e BE-së për kompromis me Kosovën

schedule12:40 - 21 Shtator, 2021

schedule 12:40 - 21 Shtator, 2021

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i është drejtuar publikut serb pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Beograd. Siç raportojnë mediat serbe, Vuçiç tha se Serbia kërkon tërheqjen e të gjitha trupave që po qëndrojnë në veri të Kosovës si dhe një përgjigje urgjente nga BE -ja për situatën. Vuçiç tha se ai e mori një propozim për zgjidhjen e situatës në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak dje, por se e refuzoi atë propozim, duke e quajtur poshtërues për Serbinë, transmeton Gazeta Express. Në fillim të fjalimit të tij para publikut, Vuçiç foli për situatën në ushtrinë serbe, si dhe në Ministrinë e Brendshme. Kreu serb tha se ndër tjerash u analizua armatimi i ushtrisë dhe policisë.

Vuçiç e quajti aksion kriminal, pozicionimin e forcave speciale policore në pikat kufitare në Jarinje e Bërnjak për ta mbikqyrur zbatimin e vendimit të fundit të Qeverisë për reciprocitetin në çështjen e targave të automjeteve. “Diskutuam për situatën në Kosovë, veçanërisht pas aksionit kriminal të Prishtinës dhe inkursionit të gjashtë në veri të Kosovës dhe Metohisë, me përdorimin e automjeteve të blinduara, armëve të gjata dhe ngacmime të qytetarëve”.

Ai më pas theksoi një kërkesë që të tërhiqen të gjitha trupat nga veriu i Kosovës. “Zgjidhja e vetme është tërheqja e të gjithë trupave nga Kosova dhe Metohia, kthimi në situatën e mëparshme”, tha presidenti serb. “Ne kemi arritur në përfundime, Serbia do të vazhdojë të këmbëngulë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë së plotë për serbët në Kosovë dhe Metohi. Ne i konsiderojmë të papërshtatshme deklaratat në të cilat Beogradi dhe Prishtina barazohen. Serbia dëshiron ta vazhdojë dialogun, por nuk dëshiron të pranojë marrëveshje nga veprimet kriminale”, deklaroi Vuçiç.

Ai shtoi se këtë mëngjes bisedoi me ambasadorët e vendeve më të fuqishme perëndimore, ambasadorët e Quintit, se si duhet të duket një “zgjidhje kompromisi” për këtë çështje, duke theksuar se mori një propozim “të papranueshëm”.

“Unë e refuzova atë zgjidhje sepse nuk është kompromis, por një zgjidhje që do ta poshtëronte Serbinë. Është një zgjidhje me të cilën 70% e asaj që shqiptarët kishin ndërmend të bënin në vijën administrative, ata do ta harronin, por do të prezantonin 20/30 përqind të masave. Kam marrë pëlqimin e Këshillit për refuzim. Unë e refuzova sepse jam lodhur nga politika e aktit të përfunduar dhe ju nuk mund të flisni kështu me Serbinë”, tha Vuçiç. Ai po tha se Këshilli i Sigurisë Kombëtare në Serbi u pajtua që të kërkohet një përgjigje urgjente nga BE-ja, për të kërkuar, ndër tjerash, edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ndërkohë që ambasadorët e vendeve të QUINT-it i kanë shkuar sot në zyrë Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit Këtë e kanë konfirmuar për Express burime brenda Qeverisë së Kosovës.

Takimi i sotëm i Kurtit me ambasadorët e QUINT-it duket se vjen pas vendosjes së masës së reciprocitetit për targat e Serbisë, të vendosur të hënën nga Qeveria e Kosovës.

Pas hyrjes në fuqi të reciprocitetit ndaj targave të Serbisë, forca të mëdha policore u vendosën në pikën kufitare në Jarinje.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, veturat me targa të Serbisë nuk do të mund të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, pa u pajisur me targa të përkohshme “RKS”.

Pagesa për targat e përkohshme është 5 euro dhe vlefshmëria e saj është 60 ditë./ Gazeta Ekspres

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!