Një 23-vjeçare në Kosovë ka ndërruar jetë pas injektimit të dy dozave të vaksinave anticovid, ndërsa familjarët e saj pretendojnë se vdekja i ka ardhur pikërisht nga vaksinimi.
Lidhur me këtë ngjarje të rëndë ka reaguar dhe Klinika Emergjente e QKUK-së duke sqaruar se vdekja e 23-vjeçares nga fshati Zabel i Drenasit është si pasojë e hemorragjisë intraabdominale (gjakderdhje në bark), shok hemorragjik dhe jo nga vaksina.
“Klinika Emergjente e Qendrës Klinike Universitare e Kosovës, në lidhje me lajmet e publikuara për vdekjen e Z. I. (1998), nga fshati Zabel i Drenasit, sqaron se, pacientja vjen në Klinikën Emergjente në QKUK në ora 16:30, të datës 15 shtator 2021, me autoambulancë nga Qendra e Mjekësisë Urgjente në Prishtinë, për shkak të humbjes së vetëdijes, me bebëza të zgjeruara, pa tension arterial, pa puls periferik, me frymëmarrje të vështirësuar. Menjëherë mjekët dhe stafi shëndetësor ka ndërmarrë masat reanimatore, pacientes i bëhen analizat laboratorike, radiologjike dhe konsulencat e tjera mjekësore”, thuhet në reagim.
Më tej, thuhet se familjarët e viktimës kanë refuzuar autopsinë që do të përcakton edhe shkakun përfundimtar të vdekjes së 23-vjeçares në Drenas.
“Përkundër përpjekjeve maksimale nga stafi i Klinikën Emergjente, pacientja nuk arriti të mbijetonte, vdekja konstatohet në ora 17:45. Diagnoza përfundimtare e vdekjes ishte hemorragjia intraabdominale (gjakderdhje në bark), shok hemorragjik. Familjarët kanë refuzuar autopsinë”, thuhet në reagim.
Në media sot u raportua se familjarët e 23-vjeçares nga Drenasi kanë deklaruar se ajo ka vdekur dy ditë pasi është vaksinuar kundër covid-19. /abcnews.al/