Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës (ISS) mund të pësojë dëmtime “të pariparueshme” për shkak të pajisjeve të vjetërsuara, ka paralajmëruar një zyrtar rus.
Të paktën 80 përqind e sistemeve të fluturimit në segmentin rus të ISS kishin kaluar datën e skadimit, tha Vladimir Solovyov për mediat shtetërore.
Ai tha gjithashtu se janë zbuluar çarje të vogla që mund të përkeqësohen me kalimin e kohës.
Ndërkohë, Rusia shpesh ka ngritur shqetësime për pajisjet dhe ka sugjeruar se mund të largohet nga ISS pas vitit 2025.
Sipas BBC, Stacioni u ndërtua në 1998 si pjesë e një projekti të përbashkët midis Rusisë, Amerikës, Kanadasë, Japonisë dhe disa vendeve europiane dhe ishte projektuar fillimisht për një jetëgjatësi 15-vjeçare.
Solovyov, inxhinieri kryesor në kompaninë hapësinore Energia, i cili është zhvilluesi kryesor i sektorit rus të ISS, tha: “Fjalë për fjalë një ditë pasi sistemet [në fluturim] do të jenë shteruar plotësisht, mund të fillojnë defektet e pariparueshme.”
Ai paralajmëroi vitin e kaluar se shumë nga pajisjet në stacion po fillonin të vjetërsoheshin dhe së shpejti do të duhet të zëvendësohen.
Në muajin prill, zëvendëskryeministri i Rusisë Yuri Borisov tha për TV shtetëror se “vjetërsia e metaleve në stacion mund të çojë në pasoja të pakthyeshme, deri në katastrofë. Ne nuk duhet ta lejojmë këtë të ndodhë”.
Ndërsa, Roscosmos, agjencia hapësinore ruse, tha vitin e kaluar se ISS nuk do të ishte në gjendje të funksiononte përtej vitit 2030.l.k/abcnews.al