Kriza që ka përfshirë Francën prej thuajse tri javësh sa vjen e thellohet. Një takim i përfaqësuesve të “Jelekëve të Verdhë” me qeverinë dështoi, ndërkohë që protestës i janë bashkuar edhe fermerët dhe arsimtarët. Presidenti Emanuel Makron po përballet me një situatë të paprecedentë.
Situata në Francë pas protestave të fundjavës vazhdon të jetë e tensionuar dhe përpjekjet për tejkalimin e saj duken të prirura për të dështuar. Të hënën përfaqësuesit e lëvizjes “Jelekët e Verdhë”, të cilët ishin shprehur të gatshëm për të negociuar me qeverinë, njoftuan tërheqjen nga takimi i së martës me kryeministrin Eduard Filip. Zëdhënësja Zhaklin Murod, pjesëtare e të ashtuquajturit krahu i moderuar lëvizjes, deklaroi për mediat se tërheqja nga takimi ka ndodhur për arsye sigurie.
Murod tha se ajo dhe kolegët e saj ndodhen nën kërcënimin e vazhdueshëm të krahut radikal të “Jelekëve të Verdhë” dhe e kanë të pamundur të lëvizin nga banesat e tyre për në zyrën e kryeministrit.
“Në këtë pikë e vetmja rrugëdalje nga kjo situatë është dorëheqja e qeverisë, ose tërheqja e saj nga vendimi për rritjen e çmimit të karburanteve”, tha Murod. Ajo shtoi se pikërisht radikalët janë përgjegjës për dhunën e verifikuar të shtunën dhe shprehu shqetësimin se ajo që nisi si një protestë paqësore po del nga kontrolli. Përveç dëmeve në infrastrukturë, trazirat e fundit kanë dëmtuar edhe ekonominë franceze. Rezervimet në hotele kanë rënë, shitjet po ashtu, ndërsa kompanitë e naftës kanë deklaruar se disa nga stacionet e tyre po mbarojnë rezervat.
Duke dalë nga një takim me kryeministrin Eduard Filip, lideri i opozitës Lorent Vakiez deklaroi se qeveria nuk e ka kuptuar ende thellësinë e indinjimit të opinionit publik. “Ajo çfarë u arrit nga ky takim ishte një debat në Parlament, ndërkohë që neve na duhen veprime konkrete për të qetësuar situatën. Në këto rrethana e vetmja rrugë është ajo që populli francez kërkon: tërheqja nga rritja e taksës së karburanteve”, deklaroi Vakiez. Protestës së “Jelekëve të Verdhë” iu bashkuan të hënën edhe fermerët, që njoftuan nisjen e manifestimeve javën e ardhshme; ndërkohë që disa shkolla të mesme në Francë pezulluan mësimin. Kriza e paprecedentë përbën një sfidë të rëndësishme për presidentin 40-vjeçar të Francës, i cili zhvilloi një mbledhje me anëtarët e kabinetit të tij dhe anuloi vizitën e planifikuar për të mërkurën në Beograd, i cili e ka justifikuar vendimin e tij me argumentin për të luftuar ndryshimet e klimës. /abcnews.al