Konkurrencë e fortë për Championsin në Serinë A dhe në Premier Ligën angleze. Këtë javë, fitues ishin Milani, Arsenali dhe Chelsea.
Kohët e vështira, me shpresë, janë lënë pas. Gennaro Gattuso mund ta thotë me krenari dhe i qetë se është trajner I Milanit, një skuadre që e gjeti në krizë dhe që po e ngjit të paktën në zonën Champions. Fitorja ndaj Parmës në “San Siro” ishte e ngushtë, vetëm 2-1, por ishte një konfirmim dhe ndaj një skuadre që cilësohet rivale për të njëjtin objektiv. Madje, Parma kaloi e para në epërsi në fillim të pjesës së dytë me anë të Roberto Inglezes, e u duk se do të vazhdonte mrekullinë e viteve të fundit.
Për fat, Milani ka në sulm të riun Cutrone, i cili shënon gjithnjë në “San Siro”, 7 gola në 7 ndeshje.
Ai barazoi dhe Franck Kessie vulosi fitoren 20 minuta para fundit, duke kthyer në gol një penallti. Milani ka tani 25 pikë, duke qenë pranë çdo ekipi tjetër me përjashtim të Juventusit.
Konkurrim i fortë për Championsin edhe në Angli. Arsenali dhe Chelsea lanë pas Tottenham-in, duke qenë ata virtualisht të kualifikuar për në kompeticionin kryesor të klubeve në Europë. Arsenali fitoi pikërisht derbin ndaj Tottenham-it, një ndeshje me shumë kthesa në stadiumin “Emirates”.
Vendasit kaluan të parët në avantazh, por pastaj Totenhemi përmbysi shifrat në 2-1 falë Erik Dier dhe Harry Kane me penallti. Më pas, në fushë u duk vetëm Arsenali.
Aubameyang shënoi golin e dytë personal, ndërsa Lacazete e Lukas Torreira vulosën fitoren 4-2. Chelsea, ndërkaq, kaloi një kundërshtar modest në “Stemford Brixh”, Fulhamin me shifrat 2-0.
Pedro që në fillim dhe Loftus-Cheek në fund ishin autorët e golave. Pas këtyre ndeshjeve, Chelsea u kthye në vend të tretë me 31 pikë, ndaj 30 që kanë Arsenali e Tottenham-i.