Prishtinë-Beograd, Hoxhaj: Pakt ballkanik kundër Serbisë

schedule14:35 - 2 Dhjetor, 2018

schedule 14:35 - 2 Dhjetor, 2018

Ka ngjallur reagime shumë të ashpra në Beograd deklarata e zëvendëskryeministrit të Kosovës, i cili tha se ka biseduar në rajon për krijimin e një pakti ballkanik kundër Serbisë. Kjo deklaratë e tij po cilësohet si akt armiqësor.

Një deklaratë e Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Enver Hoxhaj, për median kroate se në “Kroaci, Maqedoni e Mal të Zi ka biseduar për krijimin e një pakti kundër Serbisë”, ka shkaktuar vale reagimesh negative në Beograd. Zëvendëskryeministri serb dhe ministër i Brendshëm, Nebojsha Stefanoviq e ka cilësuar deklaratën si një akt armiqësor kundër Serbisë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë për të përditshmen “Veçernji List”të Zagrebit se Serbia vazhdon fushatën agresive kundër Kosovës në planin ndërkombëtar dhe po minon edhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve dypalëshe që po zhvillohet me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian. Sipas tij, Serbia “nuk dëshiron të destabilizojë vetëm Kosovën, por tërë rajonin”:

“Të gjithë e kanë të qartë. Kur nuk provokon krizë me Kosovën, atëherë provokon me Kroacinë apo edhe me Maqedoninë e Malin e Zi. Serbia ka raporte të mira vetëm me Republika Serbskën dhe me askënd tjetër. A s’është e çuditshme kjo? Në disa raste, gjatë qëndrimit në Kroaci, Maqedoni e Mal të Zi, kam biseduar me krerët e këtyre vendeve që të krijojmë një pakt i cili do t’i kundërvihej Serbisë dhe politikës së saj agresive,”- ka deklaruar Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj për të përdishme kroate ‘Veçernji List’ duke shpjeguar vendosja e taksës prej njëqind për qind ndaj mallrave serbe dhe atyre të Bosnjës ishte pikërisht përgjigje ndaj politikës agresive serbe.

Si dhe në shumë raste të ngjashme, reagimi i Beogradit zyrtar ka qenë i menjëhershëm dhe i ashpër:

Këto thirrje mund të jenë vetëm thirrje për paqëndrueshmëri në rajon, pra që të ndërmerret diçka që është në kundërshtim me interesat madje edhe për rrezikimin e sigurisë së popullit serb,’- ka deklaruar për televizionin shtetëror të Serbisë Zëvendëskryeministri dhe ministër i Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq, duke vlerësuar se deklarata e Hoxhajt provon se Serbia nuk është kafshatë e lehtë për shkak se ekonomikisht e ushtarakisht mund të mbrojë terrirtorin e vet dhe të luftojë për popullin e saj. Me këtë rast, zyrtari i lartë serbë ka pyetur Kroacinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi se çfarë kanë bërë keq Serbia dhe populli serb që ata të ngrenë një pakt kundër tyre.

Stefanoviq ka kërkuar një pozicionim më të qartë të Brukselit dhe Uashingtonit karshi qëndrimeve të Prishtinës zyrtare. Të njëjtën gjë ka bërë edhe zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj. Sipas tij, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet ta kuptojnë se në ç’drejtim shkon Ballkani. Nëqoftëse BE-ja dhe Perendimi nuk e kuptojnë rrezikun e politikës serbe dhe nuk ndërmarrin asgjë për përshpejtimin e integrimit evropian, askush nuk do të mund ta dijë se çfarë do të ndodhë me Kosovën, Maqedoninë e më së paku me Bosnjë e Hercegovinën- ka thënë Hoxhaj për median kroate. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!