Tronditëse ishin pamjet nga Beogradi dhe nderimet e fundit për kriminelin e luftës Ratko Mlladiç. Në një deklaratë të përbashkët Kryetarja e Komisionit Evropian Ursula von der Layen, dhe kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Costa, e quajtën përfshirjen e shtetit serb në ceremoni, në kundërshtim me vlerat europiane.
“Elementet e mbështetjes zyrtare, si dhe prania e disa zyrtarëve të lartë serbë në varrim, janë thellësisht dëshpëruese. Ato tregojnë dështimin për t’u përballur me kapitullin e errët të historisë së vonshme evropiane, dhe janë në kundërshtim me vlerat mbi të cilat bazohet rruga e Serbisë drejt BE-së”, thuhet në deklaratë.
Në një rikujtesë se Ratko Mlladiç ishte përgjegjës për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, Von der Layen dhe Costa thanë se mendimet e tyre janë me të gjitha viktimat e krimeve të kryera në vendet e ish-Jugosllavisë.
Të hënën, gjenerali famëkeq i ushtrisë serbe u përcollë nga mijëra “adhurues” të tij në vendprehjen e fundit, ndërsa në të morën pjesë ministra të qeverisë dhe djali i presidentit Vuçiç, madje arkëmorti i Mlladiç u ruajt nga gjashtë forca speciale të ushtrisë.
Pavarësisht skenës së shpalosur në sy të botës, Beogradi gjithësesi thotë se Ratko Mlladiç nuk u varros me nderime shtetërore.
Mlladiç vdiq më 27 gusht në Hagë, teksa po vuante dënimin me burgim të përjetshëm, ndërsa përcjellja e tij e fundit u bë një tjetër dëshmi se serbia e 30 viteve më pas nuk ka ndryshuar./abcnews.al

