Leonardo në kundërsulm: Real Madrid jo korrekt, ka plan djallëzor! Oferta e tyre, me prapaskenë!

schedule16:38 - 25 Gusht, 2021

schedule 16:38 - 25 Gusht, 2021

Leonardo hidhet në kundërsulm, pas ofertës së fundit që Real Madrid ka bërë për të transferuar Kylian Mbappe. Drejtori sportiv i PSG akuzon spanjollët për bisedimet e bërë në kundërshtim me rregullat e FIFA për transferimet. Braziliani është i qartë dhe thekson se Mbappe do të ikë vetëm nëse jepet oferta e duhur dhe se 160 milion euro nuk mjaftojnë.

“Nuk kemi folur shumë publikisht për të, por qëndrimi ynë gjithmonë ka qenë që ta mbajmë Kylian dhe ta zgjatim kontratën. Ky ka qenë dhe mbetet qëllimi ynë. I kemi bërë dy oferta, një si më i paguari i skuadrës dy muaj më parë, dhe një mbi atë ofertë kohët e fundit. Duam t’i tregojmë se është lojtar i rëndësishëm, në qendër të projektit, por jo mbi projektin”.

 

“Reali ka një strategji jo për ta marrë nga ne, por për të treguar se provuan gjithçka dhe për të pritur një vit që ta marrin falas. Ka dy vite që ata bëjnë kështu dhe nuk është e korrekte, madje edhe e paligjshme për shkak se kanë kontaktuar edhe lojtarin. Kjo është e papranueshme”.

“Strategjia e tyre dëshmohet nga fakti që oferta vjen një vit para përfundimit të kontratës dhe 7 ditë nga mbyllja e merkatos. Ata duan refuzimin e ofertës, që t’i tregojnë Kylian se kanë provuar gjithçka dhe për të filluar negociatat për vitin e ardhshëm”.

“E kemi refuzuar ofertën. Nuk pengojmë askënd, nëse plotësohen kushtet tona atëherë mund ta shohim. Kemi krijuar një ëndërr me lojtarët këtë verë dhe nuk do lejojmë askënd ta shkatërrojë atë. Oferta është larg asaj që Mbappe përfaqëson sot”.

“Ne një pjesë të parave ia kemi borxh Monacos ende dhe mendojmë se oferta e bërë nuk është e mjaftueshme. 160 milion? Nuk mund t’i konfirmoj shifrat, por është rreth asaj shifre. Është më pak se kemi paguar ne për të. Mënyra si Real sillet nuk na pëlqen”.

 

“Plan B? Nuk kemi planifikuar asgjë. Mbappe ka edhe një vit kontratë dhe duam të rinovojmë. Kurrë s’e kemi menduar një plan B. Nuk lejojmë që dikush të ndryshojë atmosferën pozitive që kemi krijuar. Me Realin nuk kemi plan të flasim. Merkato mbyllet më 31 gusht dhe ne i kemi të qarta idetë tona.

Mbappe nuk ikën për më pak se kemi paguar. Nuk e pengojmë, por do të largohet me kushtet tona. Nuk mund të ndryshojmë planet tona një javë para mbylljes së merkatos. Kylian gjithmonë na ka thënë se nuk ikën falas nga klubi”, ka deklaruar Leonardo. / abcnews.al