Sot iu dha lamtumira e fundit Marigona Osmanit e cila u përcoll në varrezat e qytetit të Ferizajt, ndërsa autori i vrasjes, partneri i saj u vendos në pranga. Bashkë me autorin e krimit, 29-vjeçarin Dardan Krivaqa pas hekurave është edhe 32-vjeçari Arbër Sejdiu, i cili jetonte në Zvicër.
32-vjeçari Arbër Sejdiu jetonte në perëndim të rajonit të Luzernit dhe punonte në një kompani ndërtimi. Fqinjët e tij thanë atë nuk e kishin parë prej muajsh. Ai ka edhe një apartament në Suedi, transmeton Gazeta Express.
Një koleg i punës e përshkroi atë si të qetë dhe tha se nuk ua kishte tërhequr vëmendjen për ndonjë gjë të veçantë. 32-vjeçari është shtetas suedez dhe ka një apartament në Suedinë jugore. Ai nuk kishte pasaportë zvicerane, njoftoi Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës.
Arbër Sejdiu akuzohet se mori pjesë në rrahjen deri në vrasjen makabre të 18-vjeçares për dy ditë me radhë. Akti i tmerrshëm është kryer në veri të Ferizajt në një banesë ku Dardan Krivaqa dhe Marigona Osmani jetonin prej dy muajsh pasi ishin martuar.
32-vjeçari Arbër Sejdiu dhe shoku i tij Dardan Krivaqa e sollën trupin e pajetë të 18-vjeçares dhe e lanë atë në spitalin e Ferizajt të dielën pasdite. Më pas, ata u larguan me një veturë “Audi” me targa zvicerane. Ndaj Arbër Sejdiut Gjykata Themelore e Ferizajt caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Arbër Sejdiu, nuk e ka kundërshtuar masën e caktuar nga Gjykata. Avokatja e tij Arbnora Shefkiu, tha te Klankosova.tv se klienti i saj ka pranuar që të bashkëpunojë me organet e rendit që të zbardhet rasti.
“Pasi jam konsultuar me të dyshuarin me të njëjtin jemi pajtuar që mos ta kundërshtojmë kërkesën për caktimin e paraburgimit, me qëllim që e njëjta të shërbej në zbardhjen më të shpejt dhe më të mirë të gjithë ngjarjes se si ka ndodhur vrasja e tani të ndjerës. Po ashtu i pandehuri ka shprehur gatishmëri që të bashkëpunoj me gjitha organet në zbardhjen e rastit” tha ajo.
Shefkiu tha se klienti i saj është ndjerë jashtëzakonisht keq për rastin. “Klienti im ka shprehur keqardhje për rastin. Ai gjatë shqyrtimit të rastit ka qarë”. Ajo theksoi se sipas deklarimeve të klientit të saj ai nuk ka marrë asnjë veprim. Por, avokatja tha se kjo mbetet të shihet nga organet e drejtësisë./ Gazeta Express