Në Kosovë viti shkollor fillon më 1 shtator, ministrja: Mbyllja pasoja të mëdha te fëmijët

schedule19:08 - 23 Gusht, 2021

schedule 19:08 - 23 Gusht, 2021

Ministrja e Arsimit të Kosovës, Arbërie Nagavci ka njoftuar se viti i ri shkollor pritet të fillojë me 1 shtator. Më tej, ministrja shprehet se synojmë të mbajmë shkollat të hapura dhe mësimi të zhvillohet me orar të rregullt e pjesëmarrje fizike në institucione shkollore.

“Në kuadër të përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor, kam nënshkruar Udhëzimin administrativ për kalendarin e vitit shkollor 2021/2022.

Ashtu siç kemi paralajmëruar, mësimi pritet të fillojë më 1 shtator. Ne synojmë të mbajmë shkollat të hapura dhe mësimi të zhvillohet me orar të rregullt e pjesëmarrje fizike në institucione shkollore.

Kjo edhe për shkak se, të gjitha studimet tregojnë se pasojat tek fëmijët për shkak të mbylljes së shkollave kanë qenë të mëdha.

Për më tepër, është konstatuar se mbyllja e shkollave vitin e kaluar ka shkaktuar pengesa në qasjen në mësim të rregullt, por edhe pasiguri e stres tek mësimdhënësit në aplikimin e metodave për mbështetjen e nxënësve për edukimin në distancë.

Bazuar edhe në rekomandimet për edukimin në kohë të pandemisë COVID-19 të lansuara në Qershor të vitit 2021 nga Grupi Këshillues Teknik (themeluar nga Drejtori Regjional i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për regjionin e Evropës), objektiv parësor duhet të jetë të mbajturit e shkollave të hapura dhe funksionale, dhe strategjitë shoqëruese siç janë aplikimi i masave mbrojtëse nga infektimi.

Në mënyrë që të mos na përsëritet situata e vitit të kaluar, zgjidhja e vetme është vaksinimi i mësimdhënësve dhe punonjësve administrativ.

Është përgjegjësi e secilit që ta ruajmë shëndetin tonë dhe të tjerëve” shkruan ministrja./ Abcnews.al