Trump dhe zonja e parë ndezin dritat e pemës së Krishtlindjeve

schedule16:19 - 30 Nëntor, 2018

schedule 16:19 - 30 Nëntor, 2018

Para nisjes drejt Argjentinës për samitin e G 20 presidenti Donald Trump mori pjesë në ceremoninë e ndezjes së dritave të pemës së Krishtlindjeve në Shtëpinë e Bardhë. Ai shoqërohej nga Zonja e Parë, Melania, veshja e së cilës ngjalli polemika të shumta.

Festat e fundvitit po trokasin tashmë dhe siç është traditë në Shtetet e Bashkuara, është mbajtur dhe ceremonia e ndezjes së “National Christmas Tree”. Presidenti Donald Trump dhe Zonja e Parë Melania morën pjesë në event duke i dhënë jetë mijëra dritave që dekorojnë bredhin madhështor. Bëhet fjalë për ceremoninë e 96 të këtij lloji: e para u zhvillua në vitin 1923 nën presidencën e Calvin Coolidge. Që prej asaj kohe, asnjë President nuk është tërhequr përballë kësaj “detyre” institucionale që tërheq çdo vit mijëra spektatorë.

Pema është e vendosur në jug të Shtëpisë së Bardhë, në sheshin e presidentit dhe është e rrethuar nga 56 bredha të vegjël që përfaqësojnë Shtetet amerikane, territoret dhe distriktet e Kolumbias. Stolitë e çdo peme bëhen nga studentët e shpërndarë në të gjithë vendin që dërgojnë veprat e tyre tek enti organizator. Gjatë ceremonisë, shumë u përqendruan në veshjet e zgjedhura nga Melania, dhe në veçanti në pallton e bardhë që kushton 4,150 dollarë. Një look që i shkon për shtat Krishtlindjeve, por që ka ngjallur shumë polemika./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!