Ish presidenti i Kroacisë Mesiç u shpreh se korrigjimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të ndodhë as në mënyrë të pastër dhe as qetësisht. Duke rikutjuar nëj deklaratë të tij vite më parë, Mesiç u shpreh se luftërat shkaktohen nga individë të caktuar dhe egoizmi i tyre.
Kufijtë mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të ndryshohen apo korrigjohen në mënyrë të pastër apo të qetë. Në këtë mënyrë ish presidenti kroat Mesic ka komentuar idenë e hedhur kohë më parë për një shkëmbim territoresh mes dy vendeve. Sidomos në Ballkan, sa herë flitet për shkëmbimin territoresh, nënkuptohet luftë. Kjo sepse askush nuk e jep tokën pa luftë, theksoi ish kreu i shtetit kroat. Nga ana tjetër, Mesiç e sheh ende Serbinë si një prej shkaqeve të konfliktit, duke shtuar se me gjithë rënien e Millosheviçit, klasa politike e vendit nuk ka bërë asnjëherë një reflektim, dhe ka mbetur e frymëzuar nga ëndrrat e vjetra jorealiste, duke përdorur mjete të reja.
Duke këmbëngulur se në kohën kur ka qenë president ka mbështetur Kosovën, ai theksoi se këto qëndrime kanë qenë të sakta, konstruktive, të forta dhe kjo pikëpamje përfundimisht ka bindur Shtetet e Bashkuara dhe Evropën se shqiptarët janë në të drejtën e tyre për të pasur një shtet të pavarur në Kosovë. Duke komentuar vendosjen e taksës prej 100 për qind për produktet serbe, ai tha se kjo është përgjigja e Prishtinës ndaj sjelljes jokonstruktive të Serbisë ndaj Kosovës. Beogradi, nga njëra anë, pretendon të bindë botën se po përpiqet për dialog, një zgjidhje paqësore përfundimtare, në mënyrë që të dyja palët të ecin në rrugën e zhvillimit dhe të integrimit, dhe nga ana tjetër, bën të pamundurën që t’ia vështirësojë jetën popullit të Kosovës, duke shpikur pengesa, njërën pas tjetrës, shtoi Mesiç./abcnews.al