Në kosovë liderët politikë kanë zgjedhur vende të ndryshme nga ku përçuan urimet e tyre për Festën e Flamurit. Lidhja Demokratike e Kosovës kreu homazhe në varrin e ish presidentit Rugova, Partia Demokratike në kullën e Isa Boletinit, e ndërsa Vetëvendosje ka zgjedhur kullën e Jasharëve.
Kryesia e LDK-së, ka bërë homazhe të varri i ish Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova me rastin e festës së 28 Nëntorit. Sekretari i Përgjithshëm i këtij subjekti, Ismet Beqiri, u shpreh se sot u nderua jeta dhe vepra e Rugovës.
Ismet Beqiri, LDK: “Po shprehim falenderimin tonë të përhershëm për gjithë atë që ka bërë për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi kudo ku janë. Edhe sot sigurisht zëri tij, vepra, përkushtimi po i mungon Kosovë, qytetarëve të Kosovës. LDK dhe qytetarët e Kosovës janë mirënjohës për gjithë atë që ka bërë për ne që të gëzojmë sot këtë që kemi. Nuk është e mjaftueshme të themi vetëm fjalë për atë që ka bërë për ne, për atë që projektoi por nuk e përjetoi pavarësinë e vendit. Ju urojmë 28 Nëntorin, këtë ditë të veçantë për shqiptarët”.
Edhe kryetari i parlamenti të Kosovës njëkohëisht i Partisë Demokratike në Kosovë Kadri Veseli, ka qenë në Boletin të Mitrovicës mga ku ka uruar festën e Flamurit.
Kadri Veseli, kryetar i Parlamentit, Kosovë: “Sot, në këtë ditë të shenjtë për kombin tonë, nga Vlora në Boletin, nga Presheva në Ulqin, nga Shkupi në Shkodër, na bashkon nderimi për të parët tanë, na bashkon nderimi për të gjithë ata burra e gra që edhe në ditët më të vështira mbajtën gjallë idenë e kombit dhe bënë gjithçka mundën për lirinë e tij”.
Kreu i Kuvendit tha se e gjithë jeta e Isa Boletinit sublimon përpjekjet e vazhdueshme të kombit tonë për liri dhe dinjitet. Kryeparlamentari Veseli tha se Kosova është një dhe e pandashme, ashtu siç e deshën Isa Boletini dhe të gjithë dëshmorët e lirisë, siç e deshi Adem Demaçi dhe Adem Jashari.
“Pavarësia dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës janë të pacenueshme. Sot dhe përgjithmonë! Ndërsa fqinjësia e mirë është e ardhmja e pashmangshme për të gjithë në rajonin tonë. Urime 28 nëntori të gjithë shqiptarëve kudo që janë. Për jetë e mot qoftë i nderuar kombi ynë”.
Aktivistë të shumtë të Lëvizjes Vetëvendosje bënë homazhe dhe vendosën lule të freskëta te varrezat e Jasharëve me rastin e shënimit të 106 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Kjo u bë në nder të familjes Jashari dhe të të gjithë dëshmorëve të rënë për çlirimin dhe bashkimin e shqiptarëve.
Albin Kurti, kreu i Vetëvendosjes, tha se 28 Nëntori është dita thelbësore e identitetit kombëtar dhe historisë së shqiptarëve.
Albin Kurti, lider i Vetëvendosjes: “Nga Skënderbeu në Krujë tek Ismail Qemali në Vlorë tek Adem Jashari në Prekaz, kujtojmë ngjarjet e lavdishme dhe njerëzit e mëdhenj me ndjenjën e përbashkët të krenarisë dhe përgjegjësisë tash kur amaneti i tyre na e ndriçon rrugën përpara. Të gjithë shqiptarëve, urime dhe gëzuar 28 nëntori i flamurit, i pavarësisë dhe i UÇK-së”./abcnews.al