Rama në mbledhjen e përbashkët: Është koha për 100% tarifa në veri të Kosovës dhe 0% në jug

schedule10:47 - 26 Nëntor, 2018

schedule 10:47 - 26 Nëntor, 2018

Në qytetin e Pejës u zhvillua sot mbledhja e përbashkët e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, e pesta mes dy vendeve, që nga viti 2014. Mbledhja u parapri nga ceremonia shtetërore e pritjes së kabinetit qeveritar shqiptar. Më pas të dy qeveritë janë ulur në tryezën e përbashkët, të drejtuar nga dy kryeministrat Edi Rama dhe Ramush Haradinaj.

Kryeministri Rama deklaroi se brenda 6 muajsh do të hiqen të gjitha barrierat tarifore dhe jo tarifore, do të bëhet njohja e ndërsjelle e patentave për drejtuesit e mjeteve dhe njohja e vetëm një palë dokumentash për bizneset që qarkullojnë Shqipëri – Kosovë dhe anasjelltas. Po ashtu brenda 6 muajit të parë të vitit të ardhshëm, Shqipëria dhe Kosova nuk do të kenë më roaming mes tyre. Rama foli për një tjetër vendim të rëndësishëm ekonomik në raportet mes dy vendeve, ate të unifikimit doganor. Pas 1 janarit 2019 Kosova do të ketë pikën e saj tranzitore në portin e Durrësit. Po ashtu në pikën doganore Morinë-Vermicë do të ketë një pikë të përbashkët për procedurat doganore për mjetet që lëvizin ndërmjet dy vendeve dhe do të shkohet drejt bërjes 0 të tarifave me Shqipërinë.

Rama mbështeti taksën 100% të Kosovës për importet serbe, duke e quajtur një reagim politik dhe jo vendim ekonomik, në kuadër të një lufte tregtare. “Serbia nuk mund të veprojë me thikë pas shpine ndaj Kosovës”- deklaroi Rama referuar vendimit të Beogradit kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol. Për herë të parë kryeministri Edi Rama ka prezantuar edhe idenë e një projekti për bashkim kombëtar mes Shqipërisë dhe Kosovës. Gjatë fjalës së tij në mbledhjen mes dy qeverive në Pejë, Rama ftoi homologun Haradinaj që të nisë puna nga dy Ministritë e Jashtme për hartimin e një strategjie të përbashkët për bashkimin e shqiptarëve deri në vitin 2025.
Pas kesaj mbledhjeje të përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Shqipërise janë nënshkruar 9 marrëveshje mes ministrive perkatese të të dy vendeve, kryesisht në fushën e ekonomisë, bujqësisë, shëndetësisë e arsimit.

Ramush Haradinaj: “Populli i kosovës pret shumë nga ne dhe nuk do ndalojmë punën e pandalshme. Kosova pret që e drejta e vet të respektohet nga instuticionet vendimmarrëse të BE-së. Në planin ekonomik reformat fiskale dhe investimet në energji. Ajo që e shquan Kosovën është rreshtimi me SHBA. Kosova është e kombit tonë dhe e aleatëve. Zoti e bekoftë Kosovën, Shqipërinë dhe aleatët tanë”.

Edi Rama: “Shqipëria është shteti natyralisht më i prirur për bashkëpunim dhe më i interesuar për suksesin e Kosovës. Kjo drejtësi është e drejta ndërkombëtare. Kjo e drejtë nuk njeh gjysëm shtete. Kjo e drejtë është e drejta e njeriut që nuk njeh gjysëm njerëz. Kemi qenë dhe mbetemi të zhgënjyer nga qasja e BE dhe të gjitha shteteve që janë në themel të pavarësisë së Kosovës në raport më të drejtën për lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj. Nuk mund të konsiderohet nga askush një gjysëmshtet. Kosova ka shfaqur qysh në krye të herës vullnetin për ta kapërcyer të shkuarën. Kosova është shëmbëlltyra e plotë e dëshirës për paqe. Përpjekjet e Serbisë kanë cënuar të gjithë vendin ekonomikisht. Goditjet e vazhdueshme pas shpine të fqinjit të Kosovës merr dhe shpjegimin 100% të tarifës ndaj mallrave serbe. Është reagim politik të një sjellje supermaciste. Sot ne jemi ne fazën ku duhet të konludojmë duke pasur parasysh 0 tarifa dhe 0 barriera tarifore brenda 6 mujorit të parë të vitit të ardhshëm. Sot është koha për të vënë tarifa 100% në veri të Kosovës dhe 0% në jug. Së dyti bashkimi doganor. Njohje e plotë e të gjithë dokumentave brenda 6 mujorit. Marrëveshja mes njohjes reciproke të patentave mes Kosovës dhe Shqipërisë. Unifikimi i të gjitha të dhënave për sistemet tona të përbashkëta është detyra që duhet ta marrin dhe ta kryejnë të dy ministritë e Brendshme. Serbia të jetë e gatshme të ulet me një fytyrë jo me 3. Të zgjedhi me cilën fytyrë të flasi me Shqipërinë. Të vendoset një fond i përbashkët për dy ministritë e Jashtme. Bashkimi i shqiptarëve është domosdoshmëri në rrugën drejt Bashkimit Europian. Jemi gati ti qëndrojmë përballë sfidave kuq e zi”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!