Përurohen shtatoret e liderëve të Lidhjes së Prizrenit

schedule17:09 - 25 Nëntor, 2018

schedule 17:09 - 25 Nëntor, 2018

Nënkujdesin e kryeministrit të Kosovës Haradinaj, të djelën janë përuruar tre shtatoret e Abdyl Frashërit, Ymer Prizrenit dhe Sylejman Vokshit, liderëve të Lidhjes së Prizrenit. Të ftuar ishin edhe kreu i shtetit shqiptar Meta dhe ai i qeverisë Edi Rama.

Nën kujdesin e kreut të qeverisë Kosovare Ramush Haradinaj, në kuadër të vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut janë përuruar shtatoret e tre liderëve historikë të Lidhjes së Prizrenit Ymer Prizreni, Abdyl frashëri dhe Sylejman Vokshi. Për kryeministrin e Kosovës Haradinaj përmbushja e përgjegjësive të marra nga Kosova një vit më parë, me vendosjen e këtyre shtatoreve, vjen edhe si kujtesë e mesazhit të pashuar të heroit ynë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Ramush Haradinaj: “Nëse nuk heqim dorë nga e drejta jonë ajo do të bëhet realitet, kushdo që dyshon se nuk do diojmë rrugën përpara gabon. Nëse jo për tjetër na mësojnë heronjtë tonë dhe historia”.

Vepër të jashtëzakonshme dhe të shkelqyer e quajti kreu i shtetit shqiptar Ilir Meta vendosjen e shtatoreve në këtë 140 vjetor të Lidhjes së Prizrenit.

Ilir Meta: “Falenderoj kush punoi që këta të tre të kthehen në Prizren, aq më tepër që jemi mbledhur në ditë nëntori, por njëkohësisht edhe me 110 vjetorin e alfabetit të njehsuar të vendeve tona dhe festën e 28 nëntorit”.

Kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama një paralele e hoqi mes realitetit shqiptar sot dhe atij 140 vjet më parë.

Edi Rama: “Kjo tokë është trashëgimia më e vyer dhe është vetë udhërrëfimi i qartë i Shqipërisë, si atëherë edhe sot. Mu aty ku është e pamundur të imagjinohet pse, Kosova përjeton një mohim të papranueshëm, atë të ndalimit të lëvizjes së lirë si një popull që zgjodhi dhe çoi deri në fund rrugën e lirisë”.

Ceremonia e mbajtur në Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit i parapriu mbledhjes së përbashkët të dy qeverive shqiptare që do të mbahet në Pejë, e pesta e kësaj tradite të nisur nga Prizreni më 11 janar 2014. Ndër marrëveshjet kryesore që pritet të arrihen në këtë takim është ajo e lehtësirave doganore mes dy vendeve, si dhe heqja e tarifës së roaming-ut. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka bërë me dije në mbledhjen e e Qeverisë së Kosovës se ka kërkuar nga shteti shqiptar uljen e tarifës në rrugën e Kombit, që Kosova e konsideron të lartë./abcnews.al