Në Korçë u mbajt edicioni i parë i Festivalit të Gjon Milit, mjeshtrit të madh të fotografisë artistike dhe historike. 30 fotografë nga vendet e Ballkanit, nderuan me një ekspozitë bardhë e zi kthimin e artistit të dritës në vendlindje.
Korçari më i famshëm ndër artistë, u kthye në vendlindjen e tij. Gjon Mili, aq sa i përket botës, po aq i përket Korçës, të cilën e la kur ishte 5 vjeç dhe nuk mundi ta shihte më kurrë. Në kalim të një shekulli mungese dhe harrese, të vlerësimit për mjeshtrin e madh të celuloidit, 30 fotografë nga Ballkani, çelën në Korçë, ekspozitën “Street Life Balkans”. Ekspozita ndërkombëtare, mbështetur nga bashkia, vjen si vazhdim i aktiviteteve për Milin, që do të ketë edhe një muze në vendlindje.
Sotiraq Filo, kryebashkiaku i Korçës: “Ne e kemi quajtur këtë aktivitet “Ditët e Gjon Milit” sepse do të kemi edhe aktivitete të tjera që lidhen me këtë emër të madh. Më kryesori do të jetë çelja e muzeut më të ri në qytetin e Korçës, që i detikohet pikërisht këtij personaliteti.”
Emrat më të spikatur të Ballkanit, në gjurmët dhe frymën e Gjon Milit, sollën në teknikën bardh e zi, momente nga përditshmëria e njerëzve të zakonshëm të rajonit, që përpiqet në shekuj të gjejë paqe.
Rozafa Shpuza, fotografe: “30 fotogarafi me qenë në Korçë dhe të sjellin këtë emocion, është një mrekulli.”
Nga Bosnje-Hercegovina, tek Mali i Zi dhe Serbia, për të vijuar më tej me Kroacinë dhe Slloveninë, me Turqinë, Rumaninë, Bullgarinë dhe Greqinë, kuptueshëm edhe Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, njerëzit janë aq të ngjashëm, në luftën që ju duhet të bëjnë për ekzistencë. Të tillë janë edhe artistët, të cilët e gjejnë veten të përfshirë në përpjekjet për të vendosur ekuilibrat, që prish politika.
Burim Myftiu, drejtor artistik i ekspozitës: “Të gjithë popujt e Ballkanit luftën nuk e duan, duan bashkimin. Më mirë se ç’mund ti bashkojë arti, se politika e ka treguar që nuk e bashkon dot.”
Osman Demiri, kurator i ekspozitës: “Këtë ekspozitë që për qef nis sonte. Këtu janë 30 fotografi. Në fakt 30 dëshmi se Gjon Mili na ka lënë një dëshmi të fortë me fotografinë edhe më botën.”
Artisti i dritës dhe lëvizjes, në aparatin e të cilit mbeten të fiksuar ngjarje dhe figura të rëndësishme të politikës dhe artit botëror,nuk mundi të vinte asnjëherë në atdheun e tij. Regjimi i Enver Hoxhës, fotografuar prej tij gjatë fjalës në Konferencën e Paqes, e refuzoi disa herë kërkesën e Milit, për të vizituar Shqipërinë./abcnews.al