Lustraxhiu i fundit në Fier: Ndryshimi i modës po na lë pa punë!

schedule15:07 - 8 Gusht, 2021

schedule 15:07 - 8 Gusht, 2021

Ngjyra, modeli, cilësia, si detaje që flasin për stilin e jetesës dhe personalitetin tonë, janë fusha e veprimit të një zanati të lashtë, si ai i lustraxhiut. Dikur praktikohej nga shtresat e varfra për të siguruar jetesën. Sot këpucët klasike po zëvendësohen me tendenca prakticiteti, duke çuar në zhdukjen e lustraxhinjve, si Sotir Llambi në Fier.

“Lustraxhinj ka vetëm disa dhe ata nuk janë profesionistë.”

Me përvojën e bojaxhiut, Sotiri vendosi më shumë se 20 vjet më parë, të dalë në rrugë për të ngjyrosur tashmë jo mure dhe shtëpi, por këpucë.

“Nga bojaxhi objektesh, nga bojërat e ngjyrat përshtatej kjo gjë dhe e zgjodha këtë…Mendoja në fillim si çik si punë ndryshe nga profesioni që kam pasur. E kam kaluar me klientelë, me shoqëri, i kam nxjerrë harxhet e ditës.”

Është një punë që kërkon  talent dhe kujdes, pasi gabimi mund të kushtojë shtrenjtë.

“Duhet gjetur ngjyra e përshtatshme se ndryshe i prish këpucët klientit…”

Mjeshtër i lyerjes së këpucëve por edhe një personazh i dashur për fierakët.

“Unë si klient vij nga lagjja 15 tetori për të lyer këpucët te Sotiri,” tha klienti i tij.

Ky është zanati me të cilin 60-vjeçari siguron të ardhura për familjen. Ndryshimi i modës e ka vënë në vështirësi pasi sië thotë, këpucët po zëvendësohen me atlete. Megjithatë, mes klientëve të tij, Sotiri dallon ende fanatikët e këpucëve të mira.

Puna e përditshme me këpucët e ka bërë Sotirin njohës të krizave sociale të secilit klient apo shoqërisë në tërësi.

“I dalloj nga këpucët kur ka varfëri.”

Çdo ditë në 6.00 të mëngjesit, Sotiri vjen me biçikletë nga shtëpia e tij në qendër të qytetit dhe largohet në mesditë. Ai është ndër lustraxhinjtë e fundit që e ushtron këtë zanat duke ruajtur traditën e përkujdesit ndaj këpucëve, si detajet që na dallojnë prej njeri-tjetrit. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!