Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të BSH, Rama propozon Boden

schedule14:25 - 24 Nëntor, 2018

schedule 14:25 - 24 Nëntor, 2018

Kryeministri i propozon Kuvendit për anëtar të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë ish ministrin demokrat të Financave Ridvan Bode. Emri i Bodes është një ndër tre anëtarët  e përzgjedhur nga qeveria mbledhjen e fundit.

Qeveria i ka propozuar Kuvendit tre anëtarët për Këshillin Mbikëqyres të Bankës së Shqipërisë.  Mes 38 aplikantëve Këshilli i Ministrave në mbledhjen e fundit ka vendosur për dy zonja, Suela Popa dhe Edlira Luci, si dhe ish-ministrin demokrat të Financave Ridvan Bode. Aktualisht organi më i lartë vendimmarrës i Bankës Qendrore, Këshilli Mbikëqyrës, nuk funksionon. Gjashtë prej anëtarëve të Bordit, Elisabeta Gjonit, Ela Golemit, Dhori Kules, Petraq Milos, Arben Malajt dhe Denada Prifitit iu ka përfunduar mandati duke e bërë të pamundur thirrjen e mbledhjeve, pasi minimialisht në të duhet të marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve, ose pesë prej tyre. Arsye kjo që mbledhjen e fundit tre anëtaret e mbetur, Guvernatori Gent Sejko, Natasha Ahmetaj dhe Toni Kola, siç bëri të ditur Banka Qendrore e kthyen në një takim informues.

Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë zgjidhen nga Parlamenti me mandate shtatë vjeçare me të drejtë rizgjedhje mbështetur në propozimet e bëra për pesë anëtarë nga Kuvendi, tre nga Këshilli i Ministrave dhe një nga Këshilli Mbikëqyrës. /abcnews.al