Kryeministri Rama vizitoi efektivët e policisë në spitalin e Traumës, ku shprehu mbështetje për punën dhe misionin e tyre. Ndërsa Lulzim Basha pasdite iu bashkua protestuesve që dolën sërish në rrugë tek “Unaza e Re”.
Vizitoi efektivët e plagosur gjatë protestës përpara kuvendit. Këtë herë nuk u godit me çizmen e opozitës, por me këpucën e një banori të unazës së re. Pas kësaj dënoi dhunën ndaj policisë e cila theksoi kryeminstri Edi Rama nuk duhet të kthehet në shënjestër për kapsollat, për gurët apo për kërcënimet e një grupi njerëzish.
“Besoj që çdo prind dhe çdo familje e parafytyron se çfarë do ndjente nëse vajza, 24 vjeçare, do kthehej në shtëpi pa gishtat e dorës, të këputur. Të gjithë mund ta parafytyrojnë, çdo familje mund ta parafytyrojë, çdo prind mund ta parafytyrojë, çdo vëlla, çdo motër mund ta parafytyrojë çdo të thotë të vijë vajza 24 vjeç me gishta të këputur, pasi ka dalë në mëngjes nga puna për të kryer detyrën”.
Këtë herë është Edi Rama që i tregon kufirin Lulzim Bashës.
Prerja e gishtave të vajzës është vërtetë një vijë e kuqe që është vendosur sot mes atyre që kanë marrë përsipër t’i kundërvihen ligjit dhe Policisë së Shtetit që është në mbrojtje të ligjit dhe në mbrojtje të interesave publike dhe të komunitetit.
Përgjigjen për vijën e kuqe kryetari i Partisë Demokratike ia dha nga unaza e re.
“Vija e kuqe e kujt? Po ai nuk njeh vija të kuqe. Ai njeh vetëm vija të bardha, nga ato që merr me hundë. Vija e kuqe është shkelur, kur i ka vënë kryqe boje shtëpive të këtyre njerëzve në kundërshtim me ligjin për të përligjur vjedhjen 40 milionë euro. Kjo është e vërteta, të gjitha të tjerat janë propagandë”.
Efektivëve të plagosur i uroi shërim të shpejtë dhe u tha se përgjegjësi i plagëve të marra është vetëm Edi Rama.
“Ai mban përgjegjësi dhe do ta paguajë shtrenjtë dhunën, që ka shkaktuar disa viktima mes banorëve, gra me brinjë të thyera, zonja me shtyllën kurrizore të shembur. Ai do të paguajë edhe për gishtat e polices së plagosur në detyrë”.
Kreu demokrat i bën thirrje policisë që të mos dalin në krah të asaj që ai e quan antiligj, por t’i bashkohen qytetarëve në mbrojtje të ligjit. /abcnews.al

