Në kulmin e sezonit turistik një prej objekteve kulturore mjaft tërheqëse për vizitorët shtëpia e At Gjergj Fishtës është mbyllur sërish.
Investimi miliona lekësh për rikonstruksionin e kësaj shtëpie monument kulture nuk e bëri dot të vizitueshme.
Nuk zgjidhi as konfliktin mes pronarëve të objektit. Në portën hyrëse ka dy çelësa që tregon se hyrja është e pamundur.
Kyçi i është vënë nga pronarët që kanë konflikt për ndarjen e kësaj prone e cila në fakt duhet të ishte zgjidhur nga qeveria përpara se të inaugurohej me bujë pas rehabilitimit.
Mes pronarëve deri tani nuk ka ndërmjetësuar asnjë zyrtar që ajo të hapet dhe të vizitohet nga turistët të cilët duan të njihen me ambientet ku ka shkruar, pushuar apo ushqyer Homeri shqiptar.
Banorët thonë se kanë ardhur vizitorë por dera është mbyllur.
“Kërkesa ka çdo ditë po është i pamundur aksesi. Shumë shqiptarë të Kosovës na pyesin po ne ngremë supet. Është e turpshme që pas investimit kolosal të mos jetë e mundur të hyjnë ta shikojnë. Janë të etur të vizitojnë shtëpinë e Gjergj Fishtës po është mbyllur”, ka thënë një banor i zonës.
“Ka shumë vizitorë që vijnë ta shohin. Kërkojnë ta gjejnë se dhe tabelat s’janë të sakta në përmasat që duhet ta shohin. Tani e kanë mbyllur, por duhet të verë dorë shteti. Shteti ka mbetur sikur është grua e ve. Edhe unë jap kontributin tim që jam çoban që ajo shtëpia të hapet”, shprehet një tjetër qytetar.
Pas inaugurimit në tetor të vitit të kaluar ku mbetën jashtë dhe familjarë të Fishtës kjo shtëpi u mbyll.
Ajo u hap vetëm në mars të këtij viti për pak kohë nga një stërmbesë e Fishtës u bë dhe ciceroni i turistëve.
Që prej rikonstruksionit të shtëpisë ku ka jetuar Fishta deri më sot Ministria e Kulturës ka heshtur duke dëshmuar se nuk ka asnjë plan për të zgjidhur pronësinë dhe për ta bërë të vizitueshme këtë shtëpi muze, që mbrohet nga shteti po që ky i fundit nuk asnjë çelës.
“ABC” u interesua edhe pranë Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturor në Shkodër, por askush nuk iu përgjigj pyetjes se çfarë do të ndodhë me këtë shtëpi.
/abcnews.al/