Një ditë pas vendimit të qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe, si dhe largimin nga tregu të produkteve me shkrime përçmuese për Kosovën, tregtarët kanë nisur t’i largojnë nga shitja.
Komuna e Mitrovicës, ajo e Vushtrrisë, e Skënderajt dhe e Drenasit kanë zbatuar urgjentisht urdhrin e Ministrisë së Tregtisë dhe të Industrisë së Republikës së Kosovës që të hiqen nga shitja të gjitha produktet, të cilat përmbajnë mbishkrime përçmuese dhe fyese për Kosovën.
Inspektorët e Komunës së Mitrovicës, të Vushtrisë, të Skënderajt dhe të Drenasit kanë nisur të largojnë të gjitha produktet serbe që mbajnë mbishkrime përçmuese dhe fyese për qytetarët e Kosovës: si “Kosovo i Metohija”, “Kosovo UNMIK” dhe “Kosovo Rez.1244”.
Mediat në Kosovë raportojnë se inspektorët e këtyre komunave kanë dalë në terren për të verifikuar nëse janë larguar të gjitha produktet që mbajnë këtë përmbajtje. Drejtori i Drejtorisë së Inspektoratit të Komunës së Mitrovicës, Hysni Ahmeti, tha se inspektorët kanë sinjalizuar mallra që importohen në Kosovë me këto mbishkrime./abcnews.al