Vllaznia doli e mundur sot ndaj AEL Limassol me shifrat minimale, por te shkodranët nuk i kanë humbur shpresat për arritjen e raundit të tretë të Conference League. Pas ndeshjes për mediet foli mesfushori Arsid Kruja, që beson te përmbysja.
“Me thënë të drejtën, pavarësisht se është një rezultat negativ për ne, është një rezultat që e le gjithçka të hapur në Shkodër. Besoj se me motivimin dhe punën e deritanishme, edhe mund ta kthejmë. Mund të bënim më tepër pasi rastet i krijuam.
Mund të ishim më të qartë para portës, por gjithsesi është një rezultat që në Shkodër na le hapësira për t’u kualifikuar. Temperaturat janë shumë të larta dhe kjo ndikon shumë tek të dyja skuadrat në përgjithësi. Besoj se do t’ia lemë ndeshjes së kthimit në Shkodër dhe pse jo të arrijmë të kualifikohemi.
Do të kemi edhe lojtarin e 12-të në ndeshjen e kthimit, që janë tifozët. Do të jetë një ndihmë shumë e madhe për ne. Të arrijmë të kualifikohemi në Shkodër dhe t’iu japim një kënaqësi të veçantë atyre”, u shpreh Kruja. /abcnews.al