Një pako e dyshimtë e vendosur poshtë makinës së Drejtorit të Hekurudhave në Durrës alarmoi policinë. Por pas verifikimit të ekspertëve rezultoi se ishte një bombë e imituar.
Kur drejtori i Hekurudhave doli nga shtëpia për të shkuar drejt zyrës, fqinjët i thanë kujdes ke një bombë në makinë. Kaq u desh që Ani Dyrmishi t’i telefonojë menjëherë uniformave blu. Pako e dyshimtë, e vendosur poshtë makinës së kreut të Hekurudhave vuri në alarm forcat e Policisë së Durrësit dhe ekspertët e Xhenios që shkuan nga Tirana.
Fillimisht u dyshua për një bombë. Por pas vlerësimit të ekspertëve rezultoi se ishte një bombë e imituar, një celular i montuar në shishe plastike, e cila brenda nuk kishte eksploziv. Ekpsertët e morën pakon me vete për të gjetur gjurmët e personit që e ka vendosur atë në makinën e Dyrmishit.
Sipas policisë së Durrësit pavarësisht faktit që pako nuk ishte një bombë e vërtetë, po hetohet në pistën e një kërcënimi dhe paralajmërimi ndaj Ani Dyrmishit. Ngjarja ndodhi në qytetin e Durrësit pranë portit, aty ku dhe Drejtori i Hekurudhave banon. Ka qenë vetë Dyrmishi dhe fqinjët e tij që ka njoftuan policinë.
Ai i tha hetuesve se nuk kishte konflikte me askënd dhe se nuk kishte asnjë ide kush mund të ishte autori. Dyrmishi tha se shpresoj në zbardhjen e ngjarjes sa më shpejt./abcnews.al