Lideri i partisë opozitare “Reforma”, i njohur ndryshe si “Babai i Brexit-it”, Nigel Farage, thotë se, nëse ai vjen në pushtet, do të mbyllë gjithë sistemin e azilkërkimit në Britani dhe do të deportojë 90 mijë aplikuesit e azilit!
Sipas planeve të Farage, do të deklarohet një “emergjencë e sigurisë kombëtare”, ku të gjitha gjykatat dhe tribunalet e azilit do të pezullohen, njëkohësisht me rrugët legjitime të ardhjes së refugjatëve drejt Britanisë apo edhe skemat e rivendosjes së përhershme me status legal nga shtetas të BE-së.
Kjo politikë radikale nënkupton se dhjetëra mijëra aplikantë do të deportohen në vendet e tyre të origjinës ose vende të treta menjëherë dhe çdo refugjati të cilit i është dhënë statusi i azilantit gjatë pesë viteve të fundit do t’i rishqyrtohet statusi nga Home Office.
Kjo skemë e partisë “Reforma”, e titulluar “Rivendosja e Drejtësisë”, do të thotë ndalim i çdo refugjati që të mund të vendoset përgjithmonë në Britani, si dhe dhënien e mbrojtjes humanitare për ta.
Problemi me deportimet e 90 mijë azilkërkuesve, apo sado që të jetë numri i tyre kurdo dhe nëse Reforma vjen në pushtet, pa përfshirë ata që e kanë marrë statusin dhe janë me qindra mijëra, është se vendet e tyre nuk i pranojnë mbrapsht, me përjashtim të shumë pak vendeve, mes tyre edhe Shqipërisë, pas marrëveshjes Rama–Rishi Sunak të vitit 2022.
Në këto plane ende nuk janë dhënë shifra se sa do të jenë shpenzimet e operacioneve të tilla të riatdhesimit me avionë dhe distanca të largëta, dhe po aq e rëndësishme dhe e panjohur mbetet se si do të frenohen ardhjet e reja me gomone nga Franca përmes La Manshit!
Nigel Farage, partia e të cilit është e dyta pas laburistëve dhe përpara konservatorëve në sondazhe, ka deklaruar se partia e tij po përgatitet ethshëm për zgjedhje të reja të parakohshme në maj të vitit 2027, plane që ende nuk janë nënkuptuar apo deklaruar nga kryeministri Andy Burnham, i cili ka prerogativën ekskluzive të shpalljes së datës së zgjedhjeve të reja.
Britanikët nuk është se i dëgjojnë për herë të parë plane të ngjashme, jo kaq radikale, por për partinë “Reforma” në radhë të parë do të jetë detyrë ardhja në pushtet, pas një sistemi zgjedhor jo të favorshëm për ta, e më pas implementimi i planeve të tilla ambicioze, edhe pse kritikët thonë se janë të pazbatueshme.


