Biden: Informacionet e rreme në Facebook po vrasin njerëzit

schedule13:42 - 17 Korrik, 2021

schedule 13:42 - 17 Korrik, 2021

Kreu i Shtëpisë së Bardhë Joe Biden ka akuzuar rrjetet sociale se informacionet e rreme rreth vaksinave që ato publikojnë, po vrasin njerëz dhe se pandemia aktuale është ajo mes personave të pavaksinuar.

Zëdhënësi i qeverisë amerikane për shëndetin publik,  një ditë më parë i cilësoi informacionet e rreme për pandeminë si një kërcënim urgjent. Sipas tij shumë amerikanë refuzojnë të vaksinohen kundër Covid pikërisht prej këtyre lajmeve të rreme që publikohen në rrjetet sociale.

Shtëpia e Bardhë i ka kërkuar Facebook dhe platformave të tjera të rrjeteve sociale që të jenë më agresivë në heqjen e postimeve të dëmshme për vaksinat, duke filluar nga lajmi se vaksinimi shkakton sterilitet.

Facebook hodhi poshtë kritikat duke theksuar përpjekjet e grupit në betejën kundër dezinformimeve. Zëdhënës i  Facebook, Deni Lever u shpreh se nuk do të merren me akuza të pabazuara. Ai shtoi se më shumë se dy miliard persona kanë parë informacione të rëndësishme për Covid-19 dhe vaksinat, në këtë platformë.

Lever shtoi se më shumë se 3.3 milion amerikanë kanë përdorur Facebook për të zbuluar ku dhe si mund të vaksinohen: Faktet tregojnë se Facebook po ndihmon në shpëtimin e jetëve, përfundoi ai.

Facebook nuk është aspak e vetmja kompani që është akuzuar se nuk ka marrë veprime kundër informacioneve të rreme, YouTube  është kritikuar gjithashtu. Rreth 67.9% e të rriturve në SHBA kanë marrë një dozë të vaksinës, ndërsa 59.2% e të  rriturve janë vaksinuar plotësisht./abcnews.al