Administrata amerikane ka vendosur sanksione ndaj 17 zyrtarëve sauditë në lidhje me vrasjen e gazetarit Xhamal Kashogi. Bëhet fjalë për lëvizjen e parë ndëshkuese të Uashingtonit zyrtar, që megjithatë nuk cënon marrëveshjet e armatimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite.
Departamenti amerikan i Thesarit vendosi të enjten sanksione ndaj 17 zyrtarëve saudite për rolin e tyre në vrasjen e gazetarit Xhamal Kashogi. Bëhet fjalë për përgjigjen e parë konkrete të administratës Trump në lidhje me vdekjen e reporterit, më 2 tetor në konsullatën saudite në Stamboll. Mes zyrtarëve të sanksionuar është Saud al Katani, ish-këshilltari kryesor i princit të kurorës Mohamed bin Salman, konsulli i përgjithshëm saudit në Turqi Mohamed Alotaibi dhe skuadra e 15 agjentëve që realizuan vrasjen e Kashogit. Njoftimi përbën një risi për Uashingtonin, që rrallë herë vendos sanksione ndaj shtetasve sauditë.
Masat sidoqoftë nuk prekin qeverinë e Rijadit, një aleat i rëndësishëm ushtarak dhe ekonomik i Shteteve të Bashkuara. Njëkohësisht, lëvizja i lejon administratës Trump të ndalojë çdo aksion që mund të prekë marrëveshjet fitimprurëse të armëve mes Amerikës dhe Arabisë Saudite, të cilat presidenti është zotuar se do t’i mbrojë. Konkretisht, sanksionet kufizojnë aksesin e zyrtarëve sauditë në sistemin financiar amerikan dhe ngrijnë asetet individuale të tyre. “Këta individë që vunë në shënjestër dhe vranë brutalisht një gazetar që jetonte dhe punonte në Shtetet e Bashkuara duhet të përballen me pasojat e veprimeve të tyre”, thuhet në një deklaratë të Departamentit të Thesarit./abcnews.al