Xhamal Kashogi

KASHOGI-AGJENTI-ABCM5T2.mpg_snapshot_00.03-1280x707.jpg
ad min23:07 | 06/12/2018

Autoritetet turke kanë identifikuar personin që konsiderohet si çelësi i misterit të vrasjes së gazetarit Xhamal Kashogi. Sipas Ankarasë zyrtare, bëhet fjalë për një agjent sekret saudit që koordinoi planin e ekzekutimit në bashkëpunim me zyrtarë të Riadit.

Hetuesit turq kanë identifikuar një agjent ndërlidhës të shërbimeve sekrete saudite si personin që ka luajtur rolin kyç në planifikimin dhe vrasjen e gazetarit Xhamal Kashogi. Sipas hetuesve, agjenti në fjalë ka shërbyer si korrier për llogari të inteligjencës së Riadit. Gazeta “Hurriet” e ka identifikuar atë si Ahmed Abdullah al Muzaini, shef i agjentëve pranë konsullatës saudite në Stamboll, përpara vrasjes së reporterit. Sipas burimeve, oficeri ka shkuar në Arabinë Saudite 29 shtatorin e kaluar, një ditë pas vizitës së parë të Kashogit në selinë diplomatike, për t’u takuar me gjeneralin Ahmet al Asiri.

Së bashku ata kanë përcaktuar detajet, kanë formuar grupin e vrasësve dhe më pas Al Muzaini është kthyer në Stamboll, në vigjilje të vrasjes. Ndërsa një ditë më pas, ai është larguar përfundimisht nga Turqia. Më herët, prokuroria e Stambollit shpalli dy urdhër-arreste për ekzekutimin e Kashogit, konkretisht për Saud al Katani, bashkëpunëtor i afërt i princit saudit Mohamed bin Salman dhe ndaj gjeneralit Ahmed al Asiri, ish-numri dy i shërbimeve sekrete. Të dy zyrtarët u shkarkuan nga detyra menjëherë pas vrasjes. Aktualisht ata ndodhen në Arabinë Saudite dhe mbretëria ka refuzuar kërkesën turke për ekstradim./abcnews.al

gazetarii12.jpg
ad min09:10 | 18/11/2018

Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi të shtunën se qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk ka arritur ende në një përfundim në lidhje me vrasjen e gazetarit Xhamal Kashogi. Reagimi erdhi pas zërave se të dhënat e siguruara nga CIA tregonin se gazetari ishte vrarë me urdhër të princit saudit të kurorës, Mohamed bin Salman. “Lajmet se qeveria amerikane ka nxjerrë një përfundim lidhur me ngjarjen janë të pasakta. Mbi vrasjen e Kashogit ka ende shumë pyetje që duhet të marrin përgjigje”, deklaroi zëdhënësja Hedhër Nojert.

Ndërkohë, presidenti Donald Trump u informua mbi të dhënat e mbledhura nga CIA në një bisede telefonike të zhvilluar gjatë një udhëtimi për në Kalifoni. Trump u vu në dijeni të zhvillimeve nga shefja e agjencisë së inteligjencës, Xhina Hespëll dhe sekretari i Shtetit Majk Pompeo. Në një deklaratë të bërë më herët, Trump tha për mediat se në vendimet që do të marrë do t’i kushtojë rëndësi edhe marrëdhënieve që Shtetet e Bashkuara kanë me Arabinë Saudite. “Ata kanë luajtur një rol spektakolar për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës. Më duhet të marr shumë gjëra parasysh”, tha Trump./abcnews.al

CIA-KHASHOGGI-PRINCI.mpg_snapshot_00.34-1280x720.jpg
ad min20:30 | 17/11/2018

CIA ka fajësuar ka fajësuar princin saudit të kurorës për vrasjen e gazetarit Xhamal Kashogi. Agjencia Qendrore e Inteligjencës ka deklaruar se do të informojë presidentin Trump mbi konstatimet e saj, por kreu i shtetit ka lënë të kuptohet se marrëdhëniet me Arabinë Saudite janë më të rëndësishme.

Agjencia Qendrore e Inteligjencës në Shtetet e Bashkuara ka arritur në përfundimin se urdhëri për vrasjen e gazetarit Xhamal Kashogi u dha nga princi saudit i kurorës. Burime nga CIA kanë deklaruar për mediat ndërkombëtare se hetuesit kanë mbikëqyrur një seri provash në lidhje me pistën në fjalë. Edhe pse nuk mund të bëjnë akuza direkte, zyrtarët amerikanë janë të bindur se një operacion i tillë nuk mund të bëhej pa aprovimin e princit Mohamed Bin Salman. Nga ana e saj, Arabia Saudite ka hedhur poshtë deklaratat dhe ka insistuar sërish se princi i kurorës nuk ishte në dijeni të planit për vrasjen e gazetarit, për të cilën fajëson agjentë rebelë të shërbimeve sekrete.

Ndërkohë, presidenti Donald Trump ka deklaruar se duhet ende të informohet nga CIA mbi konstatimet e saj. Por sikurse më parë, Trump e ka vënë theksin tek rëndësia që aleanca me Arabinë Saudite ka për Shtetet e Bashkuara. “Ata kanë luajtur një rol spektakolar për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës. Më duhet të marr shumë gjëra parasysh”, ka thënë Trump. Ndërkohë, gazeta “Washington Post”, për të cilën Kashogi punonte, ka bërë me dije se versioni i CIA-s bazohet pjesërisht në një telefonatë të bërë nga vëllai i princit të kurorës, Khalid Bin Salman, që është dhe ambasadori saudit në Shtetet e Bashkuara. Khalid i telefonoi Kashogit dhe me udhëzim të të vëllait i dha atij garanci se brenda konsullatës do të ishte i sigurt, ka shkruar gazeta./abcnews.al

khashoggi-1.png
ad min23:56 | 15/11/2018

Administrata amerikane ka vendosur sanksione ndaj 17 zyrtarëve sauditë në lidhje me vrasjen e gazetarit Xhamal Kashogi. Bëhet fjalë për lëvizjen e parë ndëshkuese të Uashingtonit zyrtar, që megjithatë nuk cënon marrëveshjet e armatimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite.

Departamenti amerikan i Thesarit vendosi të enjten sanksione ndaj 17 zyrtarëve saudite për rolin e tyre në vrasjen e gazetarit Xhamal Kashogi. Bëhet fjalë për përgjigjen e parë konkrete të administratës Trump në lidhje me vdekjen e reporterit, më 2 tetor në konsullatën saudite në Stamboll. Mes zyrtarëve të sanksionuar është Saud al Katani, ish-këshilltari kryesor i princit të kurorës Mohamed bin Salman, konsulli i përgjithshëm saudit në Turqi Mohamed Alotaibi dhe skuadra e 15 agjentëve që realizuan vrasjen e Kashogit. Njoftimi përbën një risi për Uashingtonin, që rrallë herë vendos sanksione ndaj shtetasve sauditë.

Masat sidoqoftë nuk prekin qeverinë e Rijadit, një aleat i rëndësishëm ushtarak dhe ekonomik i Shteteve të Bashkuara. Njëkohësisht, lëvizja i lejon administratës Trump të ndalojë çdo aksion që mund të prekë marrëveshjet fitimprurëse të armëve mes Amerikës dhe Arabisë Saudite, të cilat presidenti është zotuar se do t’i mbrojë. Konkretisht, sanksionet kufizojnë aksesin e zyrtarëve sauditë në sistemin financiar amerikan dhe ngrijnë asetet individuale të tyre. “Këta individë që vunë në shënjestër dhe vranë brutalisht një gazetar që jetonte dhe punonte në Shtetet e Bashkuara duhet të përballen me pasojat e veprimeve të tyre”, thuhet në një deklaratë të Departamentit të Thesarit./abcnews.al

FRANCE-TURQI.mpg_snapshot_00.43-1280x720.jpg
ent ela20:50 | 12/11/2018

Rasti i gazetarit Xhamal Kashogi ka përplasur Francën me Turqinë. Duke mohuar pajisjen me materialet hetimore, Parisi zyrtar ka akuzuar presidentin Erdogan për lojra politike. Në reagimin e saj, Ankaraja e ka cilësuar komentin e palës franceze të papërgjegjshëm.

Turqia hodhi poshtë të hënën akuzat e Francës se presidenti Recep Taip Erdogan po luante lojra politike me rastin e gazetarit të vrarë Xhamal Kashogi. Në reagimin e saj, Ankaraja zyrtare akuzoi palën franceze se po përpiqet të mbulojë krimin e ndodhur më 2 tetor në konsullatën saudite në Stamboll. Ministri i Jashtëm francez Zhan Iv Lë Drio vuri në dyshim deklaratat të bëra fundjavën e kaluar nga Erdogan, se Turqia u kishte dhënë regjistrimet mbi vrasjen e Kashogit qeverive amerikane, gjermane, franceze dhe britanike. “Në dijeninë time, Franca nuk ka ndonjë material të tillë. Mesa duket, Erdogan po bën një lojë politike”, tha Lë Drio. Deklarata shkaktoi reagimin e acaruar të Ankarasë, që insistoi se shteti turk kishte pajisur me materiale Parisin dhe e cilësoi deklaratën e Lë Drio të papranueshme.

“Shërbimet tona të inteligjencës i ndanë informacionet dhe regjistrimet audio me francezët më 24 tetor. Është e patakt të akuzosh presidentin tonë për lojra politike”, deklaroi ministri i Jashtëm, Mevlut Çavushoglu. Shefi i diplomacisë turke u shpreh se nuk do të habitej nëse nesër, Franca do të zgjidhte ta mohonte vrasjen e Kashogit, edhe pse ajo është pranuar nga Arabia Saudite. “Pyes veten se çfarë fshihet pas deklaratës së ministrit të Jashtëm francez. Ndoshta po përpiqen të mbulojnë krimin”, shtoi Çavushoglu. Po të hënën, kryeministri i Kanadasë Xhastin Trudo deklaroi se shërbimet kanadeze të inteligjencës kishin dëgjuar regjistrimet mbi rastin e Kashogit. “Po diskutojmë me aleatët tanë hapat që duhet të ndërmarrim ndaj Arabisë Saudite”, tha Trudo./abcnews.al

KHASHOGGI-DETAJE.mpg_snapshot_01.16.jpg
ad min08:41 | 02/11/2018

Sipas burimeve të Uashington Post, autoritetet turke po hetojnë mbi mundësinë që trupi i pajetë i gazetarit saudit Xhamal Kashogi, të jetë shkrirë në acid brenda konsullatës saudite në Stamboll.

Një funskionar turk që ka folur me Uashington Post duke kërkuar të qëndrojë anonim, ka thënë se autoritetet turke po hetojnë mundësinë se Khashogi, është copëtuar dhe më pas është shkrirë në acid brenda konsulatës saudite në Stamboll, ose në rezidencën e konsullit që ndodhet aty pranë. Teza e përdorimit të acidit në zhdukjen e gazetarit saudit është teori që qarkullon prej disa javësh, por asnjëherë e konfirmuar zyrtarisht.

I njëjti burim theksoi se trupi i viktimës nuk kishte nevojë të varrosej, dhe se në kopshtin e konsulatës janë gjetur gjurmë që konfirmojnë këtë teori. Për momenin version zyrtar i Arabisë Saudite është se trupi i Khashogit i është besuar një bashkëpunëtori vendas të konsulatës, dhe që atëherë nuk dihet më asgjë.

Gjatë këtyre javëve Arabia Saudite ka ndryshuar shumë versione: fillimisht u tha se Khashoggi kishte dalë nga konsullata, më pas u tha se kishte ndërruar jetë si pasojë e një përplasjeje fizike. Në Arabinë Saudite deri tani janë arrestuar 18 persona dhe në 24 tetor Mohammed bin Salman, pronci trashëgimtar, i akzuuar për vrasjen e khashogit, u shpreh se incidenti ishte shumë i dhimbshëm për të gjithë. I pajustifikueshëm madje. Turqia vazhdon të kërkojë ekstradimin e personave të arrestuar por janë shumë të pakta mundësitë që Arabia Saudite të pranojë këtë kërkesë./abcnews.al

TURQIT-KASHOGI.mpg_snapshot_00.32.jpg
ad min22:22 | 31/10/2018

Prokuroria turke ka publikuar variantin zyrtar mbi vrasjen e gazetarit Xhamal Kashogi në konsullatën saudite në Stamboll. Ndërkohë, klasa politike në Ankara ka deklaruar se vrasja nuk mund të jetë kryer pa një urdhër nga lartë të familjes mbretërore saudite.

Zyra e prokurorit të përgjithshëm në Turqi ka publikuar të mërkurën variantin e parë zyrtar mbi dinamikën e vrasjes së gazetarit saudit Xhamal Kashogi. Sipas autoriteteve turke, Kashogi është vrarë me mbytje sapo ka hyrë në selinë e konsullatës saudite në Stamboll dhe menjëherë më pas trupi i tij është copëtuar, sipas një plani të paramenduar. Sidoqoftë, në deklaratën e shpërndarë dy ditë pas takimit me homologun saudit, zyra e kryeprokurorit turk Irfan Fidan nuk ka publikuar prova që të konfirmojnë pistën e tij. Gjithashtu, në deklaratë thuhet se në takimin me zyrtarin arab nuk u arrit ndonjë rezultat konkret.

Më vonë gjatë së mërkurës, zëdhënësi i partisë në pushtet, Omer Çelik deklaroi se vrasja e Kashogit nuk mund të jetë kryer pa një urdhër nga kokat e larta të mbretërisë saudite. Çelik tha gjithashtu se është e pamundur që autoritetet të mos kenë gjetur ende trupin e gazetarit kur po bëhet një muaj nga nisja e hetimeve. Vdekja e Kashogit ka futur në krizë familjen mbretërore në Arabinë Saudite, e cila në fillim mohoi të kishte dijeni mbi zhdukjen e gazetarit më 2 tetor. Por më pas shteti i Gjirit pranoi përgjegjësinë dhe doli me variantin se gazetari kritik i regjimit saudit ishte vrarë nga agjentë rebelë të shërbimeve sekrete. Lidhur me vrasjen autoritetet në Rijad arrestuan 18 të dyshuar, të cilët do të gjykohen në vendin e tyre./abcnews.al

SAUDITET-GAZETARI.mpg_snapshot_00.17-1280x708.jpg
ad min22:08 | 27/10/2018

Personat e dyshuar për vrasjen e gazetarit Xhamal Kashogi do të gjykohen në Arabinë Saudite. Ka qenë kjo përgjigjia që mbretëria i ka dhënë Ankarasë zyrtare, që një ditë më parë kërkoi ekstradimin e 18 të dyshuarve.

Rijadi zyrtar ka deklaruar të shtunën se të dyshuarit për vrasjen e gazetarit Xhamal Kashogi do të gjykohen në Arabinë Saudite. Ka qenë ministri i Jashtëm, Adel al Xhubeir që ka hedhur poshtë kërkesën e bërë një ditë më parë nga Turqia, për ekstradimin e 18 personave. “Të dyshuarit janë shtetas sauditë, të arrestuar në Arabinë Saudite, të hetuar në Arabinë Saudite, ndaj dhe gjykimi i tyre do të bëhet në Arabinë Saudite”, tha Xhubier në konferencën e sigurisë të mbajtur në Bahrein. Në fjalën e tij, shefi i diplomacisë së mbretërisë akuzoi mediat perëndimore për “histeri”, lidhur me mënyrën e raportimit të vrasjes së gazetarit.

Veç përgjigjes negative të Rijadit, ajo çka pengon plotësimin e kërkesës së Ankarasë është fakti se mes Turqisë dhe Arabisë Saudite nuk ka një marrëveshje ekstradimi. Ndërkohë, Uashingtoni vijoi të shtunën me linjën e presioneve për të detyruar palën saudite të shpjegojë plotësisht rrethanat e vrasjes së Kashogit. Sekretari i Mbrojtjes, Xhim Metis deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk mund ta tolerojnë një përdorim të tillë dhune. “Dështimi i çdo vendi për të zbatuar normat ndërkombëtare dhe për të garantuar sundimin e ligjit minon stabilitetin rajonal, që aktualisht është më i nevojshëm se kurrë”, tha Metis. Pak ditë më parë, Parlamenti Europian miratoi një rezolutë që vendos embargon ndaj shitjes së armëve tek Arabia Saudite. Ndërkohë, Rusia ka deklaruar se varianti i dhënë deri më tani nga familja mbretërore duhet të besohet pasi nuk ka arsye për të bërë të kundërtën./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono