Ushtria amerikane humbet primatin, SHBA në rrezik

schedule23:15 - 15 Nëntor, 2018

schedule 23:15 - 15 Nëntor, 2018

Ndryshimi i prioriteteve ushtarake nga administrata Trump ka bërë që ushtria amerikane të humbasë primatin dhe të vërë në rrezik rolin dominues të Shteteve të Bashkuara në botë. Konstatimi është bërë nga një grup ekspertësh që kanë analizuar strategjinë e presidentit për sigurinë kombëtare.

Një panel ekspertësh ka dhënë një vlerësim sa të qartë aq edhe të frikshëm mbi strategjinë për mbrojtjen kombëtare të përgatitur nga zyra e presidentit Donald Trump. Në raportin e hartuar, ekspertët paralajmërojnë se marzhi i superioritetit që për gjenerata me radhë ka karakterizuar ushtrinë amerikane, në ditët e sotme ka rënë ndjeshëm duke ndikuar në zonat më strategjike të botës. “Ka sfida urgjente që duhet të adresohen nëse Shtetet e Bashkuara duan të shmangin dëmet që mund t’i shkaktohen sigurisë kombëtare”, thuhet në raport. Paneli ishte ngarkuar nga Kongresi për të dhënë një opinion të pavarur mbi strategjinë mbrojtëse të administratës Trump. Raporti është hartuar nga Erik Edelman, ish-zyrtar i lartë i Pentagonit gjatë administratës Bush dhe admirali Geri Rafhed, ish-shef i operacioneve ushtarake detare.

“Siguria dhe mirëqënia e Shteteve të Bashkuara janë në rrezikun më të madh në dekada. Superioriteti ushtarak i Amerikës ka degraduar në nivele të rrezikshme”, nënvizon raporti. Ardhja në pushtet e presidentit Trump përkon me ndryshimin e prioriteteve ushtarake të Shteteve të Bashkuara, duke u zhvendosur nga operacionet kundër terrorizmit dhe rebelimeve tek konfliktet e mundshme me të ashtuquajturit “konkurrentët e barabartë” si Rusia dhe Kina. Por edhe konkurrentët jo të barabartë, si Irani dhe Korea e Veriut, po kthehen në sfida serioze dhe të rrezikshme, vijon raporti. Konstatimet e ekspertëve janë të shumta.

Kështu, në vitet e fundit, në vende si Iraku dhe Afganistani ushtria amerikane ka operuar nga kryesisht ajri dhe në zona që nuk përbëjnë kërcënim për trupat e saj, taktikë kjo që nuk i ka sjellë asnjë përfitim në aspektin profesional në terren. Ndërkohë, rivalët potencialë si Kina dhe Rusia kanë studiuar ushtrinë e Shteteve të Bashkuara dhe vazhdojnë të modernizojnë forcat e tyre të armatosura si në aspektin tradicional, ashtu edhe duke eksploruar rrugë të reja për t’i bërë kontrast Amerikës në ato zona ku dikur ka patur rol dominues./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!