Banorët e “Unazës së re” protestë para Bashkisë, tymuese policisë

schedule11:46 - 15 Nëntor, 2018

schedule 11:46 - 15 Nëntor, 2018

Banorë të zonës së Unazës së Re në Tiranë, objektet e të cileve do të shemben në funksion të projektit të Unazës së madhe protestuan sërish sot paradite para bashkisë së kryeqytetit, teksa brenda zhvillohej mbledhja e Këshillit Bashkiak. Opozitarët e PD dhe LSI kishin bojkotuar këtë mbledhje për t’iu bashkuar protestës. Shumica në Këshillin Bashkiak, në këto kushte i miratoi lehtë projektvendimet në rendin e ditës.

Me tymuese, mjete piroteknike dhe vezë kanë protestuar këtë të enjte para Bashkisë së Tiranës banorët e unazës së re të cilët preken nga projekti për zgjerimin e rrugës.

Ndërsa brenda dyerve të Bashkise zhvillohej mbledhja e Këshillit Bashkiak jashtë tyre banorët me thirrje kundër Kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj kërkonin dëmshpërblim 100% për pronat e tyre.

Por kryebashkiaku ishte jashtë vendit dhe mbledhja drejtohej nga nënkryetari Andi Seferi.

Në sallë mungonin edhe këshilltarët e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ata mbështesnin banorët jashtë saj bashkë me deputetë të opozitës.

Kreshnik Çollaku, Kryetar i Këshilltarëve të PD: “Ne nuk pengojmë zhvillimin e Tiranës por të bëhet në dialog me banorët e saj në shërbim të interesave të saj dhe në respekt të institucioneve të shtetit. Çfarë po ndodh sot është një procedurë që shkel të gjitha parametrat”.

Ndërsa tentonin të çanin kordonin e policisë bashkiake për të hapur derën e institucionit, banorët kanë shkaktuar tension dhe përplasje nga e cila sipas Bashkise disa policë janë lënduar.

Pas rreth një orë e gjysmë qëndrimi para bashkisë, banorët u shpërndanë me thirrjen për t’u rikthyer sërish. Po kaq kohë iu desh edhe socialistëve në Këshillin Bashkiak për të miratuar  projekt-vendimet e planfikuara për këtë mbledhje.

Ndërkohë pas afro dy orësh nga mbyllja e protestës kryetari i Bashkisë së Tiranës reagoi në twitter.

“Mirënjohje të thellë policëve bashkiake për qytetarinë përballë partisë së dhunës, hurit e zjarrit! Shërim të shpejtë 3 oficerëve të plagosur! Si tek Lodrat, Sheshi & Pazari, puna do e mundë dhunën, dhe qyteti do triumfojë mbi barbarinë! Ta harrojnë, Tirana nuk ndalet më”- shkruan kryebashkiaku Erion Veliaj. /abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!