Mediat britanike shkruajnë se kryeministrja Tereza Mej do të thërrasë një mbledhje urgjente me qeverinë, për të prezantuar marrëveshjen me Bashkimin Europian për Brexit. Ministrat do të vendosin nëse do e mbështesin atë, dhe nëse jo do të duhet të japin dorëheqjen.
Kryeministrja britanike Tereza Mej, në një takim urgjent me qeverinë e saj do të prezantojë marrëveshjen me Bashkimin Europian për Brexit. Lajmi është konfirmuar nga Dauning Strit, ndërsa pika kryesore e kësaj marrëveshjeje është mbajtja hapur e kufirit mes Irlandës dhe Irlandës së Veriut.
Ministrat janë informuar për negociatat dhe iu ishte komunikuar se kishin mbetur shumë pak çështje ende të hapura. Të gjithë ministrave do u tregohet teksti i plotë i marrëveshjes brenda mbrëmjes së sotme. Ata do të vendosin më pas nëse do e mbështesin marrëveshjen, pasi në të kundërt do të duhet të japin dorëheqjen nga posti. Edhe ambasadorët e 27 vendeve të tjera europiane do të takohen gjatë ditës.
Boris Xhonson, ish-ministri i jashtëm britanik, ka këmbëngulur se do të votojë në parlament kundër marrëveshjes për Brexit. Sipas Xhonson, marrëveshja parashikon qëndrimin e Londrës në bashkimin doganor dhe në pjesën më të madhe të tregut të përbashkët. Xhonson këmbëngul se me këtë Marrëveshja Britania e Madhe do ti nënshtrohet ligjeve ndaj të cilave nuk mund të ketë asnjë rol. /abcnews.al