Artistë dhe petagogë të Universitetit të Arteve në ciklin e koncerteve për nderimin e krijuesve shqiptarë, kësaj here sjellin portretin e Thoma Gaqit.
Portreti i Thoma Gaqit si kontribues i rëndësishëm i muzikës së dhomës vjen në ciklin e koncerteve dedikuar kompozitorëve shqiptarë.
Merita Rexha, pianiste: “Kompozitori Thoma Gaqi është në brezin e dytë të kompozitorëve shqiptarë. Ka qenë në klasën e kompozitorit Çesk Zadeja, që është babai i muzikës shqiptare dhe i përket këtyre kompozitorëve të brezit të dytë të cilët janë Feim Ibrehimi, Limoz Dizdari, Shpëtim Gushta e të tjerë emra të shquar. Është bukur t’ja thuash njerëzve se sa vlerë kanë pasur në këtë vend, sa vlerë kanë për shkollën shqiptare, s avlerë kanë për ne instrumentistët, por edhe për studentët që po mësojnë në këtë shkollë.”
Një prej triove më të mira të kompozitoriot Thoma Gaqi, por edhe të muzikës shqiptare, sipas pianistes Merita Rexha, do të vijë prej saj, violonçelistit Arben Llozi dhe artistit Fatos Qerimaj, të cilët këtë pjesë e kanë luajtur edhe në skena ndërkombëtare, ku është mirëpritur nga spektatori.
“Mendoj që është ndër veprat më të mira, sidomos të muzikës së dhomës, të profesor Thoma Gaqit, por edhe të muzikës shqiptare në përgjithësi, sepse ka sjellë shumë elementë të rinj. Ai ka futur shumë elemente të muzikës popullorë në veprat e tij, por sidomos tek kjo trio që është shkruar pas viteve ’90, nuk ka rënë në kurthin e modernizmit apo të ideve të ndryshme të tendencave të muzikës moderne. Në këtë vepër jemi të tre jo vetëm solidtë, por në një farë mënyrë ndahemi nga njëri-tjetri dhe pastaj dijmë se si të bashkohemi, është trio e bërë shumë bukur.”
Programi është i larmishëm, pasi do të ketë edhe një pjesë piano për katër duar që do të luhet nga Merita Rexha dhe Fatma Spahiu. Sikurse nuk do të mungojnë edhe veprat për ansambël harqesh, të cilat do të drejtohen nga dirigjenti Artan Licaj. Koncerti do të mbahet mbrëmjen e së martës në skenën e Universitetit të Arteve./abcnews.al