Buxheti i vitit 2027 do të ketë në fokus mbështetjen e shtresave sociale dhe përafrimin e Shqipërisë me standardet e Bashkimit Europian.
Kështu deklaroi zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj, në një intervistë për “Money Report”, ku theksoi se procesi i integrimit europian ka qenë një nga elementet kryesore në hartimin e buxhetit dhe në përcaktimin e ndryshimeve fiskale.
Sipas tij, ndërhyrjet në sistemin e taksave do të vijojnë edhe gjatë vitit të ardhshëm, bazuar në një kalendar të përcaktuar dhe pa ndryshime radikale, me synim përafrimin me standardet e BE-së. Yzeiraj bëri të ditur gjithashtu se gjatë vitit 2027 pritet të hapen grupkapituj të tjerë të negociatave dhe të nisë procesi për traktatin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Mbështetja për shtresat sociale është një nga shtyllat e buxhetit 2027, një shtyllë tjetër është integrimi në BE. Ajo se çfarë ka qenë elementi kryesor është se si investimet respektive do të ndihmojnë në integrimin e Shqipërisë në BE.
Integrimi ka qenë një pjesë e pashmangshme për të gjitha negociatat që ne kemi bërë për buxhetin. Të gjitha ndryshimet që janë bërë për taksat janë ndryshime që ne na përafrojnë me standardet e BE-së. Nuk i kemi përmbyllur të gjitha ndërhyrjet, do të vazhdojnë. Vitin që vjen ne do të kemi një kalendar të të gjitha ndryshimeve të taksave.
Të mos kemi ndryshime radikale, por sipas standardeve të BE-së. Në vitin 2027 presim hapjen e grupkapitujve të tjerë. Në vitin 2027 nis traktati për anëtarësimin në BE. Çdo ndryshim legjislativ që bëhet, bëhet në kuadër të procesit të integrimit”, tha Yzeiraj.



