Partizani dhe Skënderbeu i fituan me vështirësi ndeshjet e tyre në Superligë. Rezultatet ishin minimale, dhe dy ekipet u shkëputën edhe më shumë në krye të renditjes.
Nuk ka gjë më të rëndë për Flamurtarin sesa të ndëshkohet nga një vlonjat. Aq më tepër, kur kjo ndodh përballë Skënderbeut në Korçë. Edhe më keq për skuadrën e trajnerit Ilir Daja, pasi goli që solli humbjen u shënua nga Devi Bregu vetëm në minutën e 89-të. Skënderbeu fitoi, duke mos lejuar që të mbetet edhe më prapa Partizanit, që gjithashtu ia doli, duke mposhtur Laçin.
Në Korçë u luajt një ndeshje tepër e fortë, dhe vendasit sërish vuajtën, siç u ka ndodhur shpesh këtë sezon në fushën e tyre. Padyshim që patën raste dhe mund të kishin shënuar gol edhe më herët, por kjo ishte e vërtetë edhe për skuadrën mike. Flamurtari nuk u duk aspak si një ekip që ndodhet edhe më poshtë se mesi i tabelës, dhe që ka zhgënjyer këtë sezon si pak të tjerë.
Vlonjatët luftuan fort pikërisht për këtë shkak, që të mos mbeteshin edhe më prapa zonës së Europës. Nuk ia dolën, por padyshim që duhet të mbeten optimistë për të ardhmen, për lojën që zhvilluan, pasi një pikë mund ta kishin marrë. Skënderbeu, gjithsesi, nuk vodhi gjë, duke arritur një fitore të rëndësishme në një edicion tepër të vështirë, pas largimit të shumë titullarëve, dhe të përjashtuar nga Championsi.
Gjithsesi, ekipi i trajnerit Orges Shehi mbeti në vend të dytë, me 29 pikë, dy më pak sesa Partizani. Formacioni kryeqytetas nuk e pati të lehtë me Laçin në “Selman Stërmasi”, por ia doli falë një golit të Jurgen Bardhit në minutën e 61-të. Me këtë sukses, ekipi i trajnerit Skënder Gega jo vetëm mbajti vendin e parë, edhe pas javës së 13-të, por u shkëput ndjeshëm nga një rival direkt, siç ishin kurbinasit./abcnews.al