Sondazh

Dështimi i protestës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Laboratori i kokainës në Frakull/ SPAK kërkon konfiskimin e 16 pasurive me vlerë 2 milionë euro

schedule19:16 - 6 Nëntor, 2026

schedule 19:16 - 6 Nëntor, 2026

SPAK i është drejtuar Gjykatës së Posaçme me kërkesën për konfiskimin e mbi 2 milionë euro pasuri të Nikolin dhe Klevent Gjolenës, si dhe 6 personave të lidhur me ta, në kuadër të hetimit për laboratorin e kokainës në Frakull të Fierit.

SPAK kërkon konfiskimin e 16 pasurive të paluajtshme në Tiranë dhe Durrës, të dyshuara se janë krijuar me të ardhura të pajustifikuara.

Bëhet fjalë për apartamente, dyqane dhe garazhe, ku tre apartamente dhe dy garazhe ndodhen në Tiranë, ndërsa tetë apartamente dhe tre dyqane në zonën e Plazhit në Durrës. Sipas hetimeve të SPAK-ut, për blerjen e disa prej këtyre pronave janë përdorur edhe para të transferuara nga jashtë vendit, pasi janë identifikuar pesë transferta bankare, me një vlerë totale prej rreth 450 mijë eurosh, të kryera në emër të familjarëve të Gjolenëve. Paratë dyshohet se kanë ardhur nga vende të Amerikës Qendrore dhe Karaibeve, ndërsa burimi i ligjshëm i tyre nuk është dokumentuar.



Hetimi pasuror është një zgjatim i dosjes së laboratorit të kokainës në Frakull të Fierit, ku në nëntor të vitit 2022 u zbulua një sasi prej 485.5 kilogramësh kokainë, e trafikuar nga Kolumbia dhe e fshehur në një ngarkesë me pleh kimik. Droga u gjet në banesën e ish-kryetarit të komunës Frakull, Viktor Çervanaku, e cila ishte përshtatur si laborator për përpunimin e saj.

Gjolena mori 11 vite burgim nga procesi në GJKKO më 25 qershor 2024. Në total, 11 anëtarët e organizatës u dënuan me 89 vite burgim nga Gjykata e Posaçme. Me 10 vite u dënua edhe ish-kryekomunari i Frakullës, Viktor Çervanaku.

Tashmë, SPAK kërkon që pasuritë e dyshuara se janë krijuar nga aktiviteti kriminal të konfiskohen, duke synuar goditjen e përfitimeve ekonomike të rrjetit të trafikut të kokainës.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!