Sulmet kibernetike, SHBA-Rusi takohen javën tjetër

schedule21:44 - 6 Korrik, 2021

schedule 21:44 - 6 Korrik, 2021

Sulmet kibernetike ndaj bizneseve amerikane, si ai i kohëve të fundit ndaj firmës teknologjike Kaseya në Florida, do të diskutohen në një takim të zyrtarëve të lartë amerikanë dhe rusë javën e ardhshme, tha të martën Shtëpia e Bardhë.

“Ne presim që të kemi një takim javën e ardhshme të përqendruar tek sulmet hakeruese që synojnë përfitime monetare”, u tha zëdhënësja Jen Psaki gazetarëve.

Sulmi i së premtes përfshiu të dhënat e qindra bizneseve të vogla në të gjithë botën, shumë prej tyre në Shtetet e Bashkuara. Kompania Kaseya tha në një deklaratë të martën se sulmi megjithatë nuk përbënte një kërcënim për infrastrukturën kritike të Shteteve të Bashkuara. Sulmi kibernetik ishte i fundit në një seri ndërhyrjesh nga hakerat të cilët kanë siguruar para nga mbajtja peng e të dhënave të organizatave në këmbim të pagesave në monedha digjitale.

Megjithëse sulmet kibernetike janë kryer për vite me radhë, ato janë përshkallëzuar në mënyrë dramatike kohët e fundit. Një ndërhyrje në kompaninë Colonial Pipeline në muajin maj bllokoi furnizimet me benzinë në bregun lindor të Shteteve të Bashkuara.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se presidenti Biden do të takohet me zyrtarë nga Departamenti i Drejtësisë, Departamenti i Shtetit, Departamenti i Sigurisë Kombëtare dhe komuniteti i inteligjencës të mërkurën për të diskutuar sulmet kibernetike dhe përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për t’i luftuar ato.

Sulmi që goditi klientët e kompanisë Kaseya – shumë prej të cilëve japin shërbime të teknologjisë informatike, – nuk kishte të njëjtin ndikim në Shtetet e Bashkuara si hakerimi ndaj tubacionit të naftës.

Ndërprerja e shërbimeve ishte më e rëndë në vende të tjera.

Në Suedi, shumë nga 800 dyqanet ushqimore që drejtohen nga kompania Coop janë ende në proces të rikuperimit nga sulmi, i cili paralizoi shumicën e supermarketeve të saj, megjithëse një zëdhënës i tha agjencisë Reuters se “aktualisht kemi më shumë dyqane të hapura sesa të mbyllura”.

Në Zelandën e Re, nga sulmi u prekën 11 shkolla dhe disa kopshte.

Agjencia për mbikëqyrjen e sigurisë kibernetike në Gjermani, BSI, tha të martën se tre kompani që ofrojnë shërbime të teknologjisë informatike në Gjermani janë prekur nga sulmi.

Hakerat që morën përgjegjësinë për sulmin kanë kërkuar 70 milionë dollarë shpërblim në mënyrë që bizneset e prekura të rifitojnë qasjen tek të dhënat, por ata kanë treguar gatishmëri për të zbutur kërkesat e tyre në biseda private me një ekspert të sigurisë kibernetike dhe me agjencinë Reuters./ VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!